
Gazetari Arjon Sulo, ka shprehur skepticizëm të thellë mbi qëndrimin e Bashkimit Europian ndaj anëtarësimit të Shqipërisë, duke e cilësuar entuziazmin e shprehur nga BE si “fallco” dhe të motivuar politikisht.
Sipas Sulos, edhe Kryeministri Edi Rama është i vetëdijshëm për këtë realitet, por e përdor për përfitime personale dhe politike.
“Po, është e vërtetë. E përdori edhe në fushatë. Ai e di të vërtetën e madhe, që është se, po të jetë për kritere, Shqipëria mund të futet në BE vetëm politikisht”, tha Sulo, duke iu referuar retorikës së Ramës për integrimin europian, në një intervistë në Euronews Albania.
Sulo nënvizoi se vendet anëtare të BE-së kanë “luajtur pisët” gjatë gjithë historisë së zgjerimit.
“Kanë qenë hipokritë. Dhe nëse nesër mbaron “lufta” ose ndodh ndonjë erë populiste e ekstremit të djathtë në Francë apo Gjermani, ne jemi jashtë”, shton gazetari.
Duke komentuar sjelljen e Kryeministrit Rama në skenën ndërkombëtare, Sulo tha se ai e përdor çështjen e integrimit, duke i dhënë përfitime të huajve në kurriz të interesave të vendit.
“Rama i di këto, prandaj bën Samite, bën politikë personale duke i dhënë nga interesi i vendit përfitime të huajve”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje