TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Dhjetor 2024, 11:31

Romeo Kara: Berisha instrument i Ramiz Alisë, provat si manipuloi revoltën studentore të 1990

Shkruar nga Pamfleti

Romeo Kara: Berisha instrument i Ramiz Alisë, provat si manipuloi

Juristi i njohur, Romeo Kara ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të PD, Sali Berisha.

Dje Shqipëria përkujtoi 8 dhjetorin e 1990, lëvizjen studentore që solli rënien e komunizmit. Romeo Kara thotë se ky është një manipulim i lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990, duke zbuluar se ajo nuk ishte një revolta spontane e studentëve, por një strategji e orkestruar nga Partia e Punës dhe Ramiz Alia për të shfrytëzuar revoltat për të pastruar pushtetin e dikurshëm. Kara shprehet se Sali Berisha, i cili sot e konsideron veten si “liderin” e asaj lëvizjeje, u bashkua me të vetëm pas shpërthimit të saj, duke i dhënë vetes një rol që nuk e kishte.

Ai e përshkruan atë si produktin e manipuluar të Partisë së Punës, një instrument të Ramiz Alisë që përdori studentët për të krijuar një forcë politike të re që do të bënte shumë shpejt kalimin e Shqipërisë nga diktatura në një regjimin tjetër, gjithnjë të përshkuar nga interesat e ngushta të elitës politike. Ndërkohë për zotin Kara, historia e 8 dhjetorit është një tregim i hidhur i manipulimit të idealizmit studentor dhe dështimit të lëvizjes, e cila më vonë do të prodhonte një Partinë Demokratike të mbushur me ish-komunistë që kërkonin thjesht të ruanin pushtetin.

Në përfundim, juristi Kara shpreh zhgënjimin e tij të thellë për mënyrën se si është trajtuar historia e Dhjetorit ’90, duke theksuar se revolta e studentëve dhe popullit shqiptar është shfrytëzuar për qëllime personale dhe politike, duke zhdukur shpresat dhe ëndrrat e një brezi të tërë për një Shqipëri të drejtë dhe të lira.

-Zoti Kara, dje u përkujtua 8 dhjetori i 1990, kur dhe nisi lëvizja studentore për rrëzimin e sistemit komunist. Çfarë ndodhi më 8 dhjetor dhe a është e vërtetë se ajo lëvizje ishte e orkestruar nga Partia e Punës dhe Ramiz Alia?

Tisin e kohës duhet ta fshijmë me fakte, prova dhe analiza të sakta në mënyrë që pikërisht ky moment shumë i rëndësishëm i historisë së Shqipërisë të bëhet qartësisht i ditur tek jo vetëm tek çdo shqiptar, por edhe tek çdo i huaj që është i interesuar për të vërtetat tona. Pikërisht ky moment historik i manipuluar sa herë jepet mundësia, duke mos u përcjellë vërtetësish, na heq çdo mundësi korrigjimi në lëvizjet e duhura në të ardhmen. Historia gjithmonë i shërben së ardhmes, e cila projektohet pikërisht vetëm prej saj.

-A kishim ne lider frymëzues para kësaj lëvizjeje, i cili u bë inkurajuesi në vrasjen e frikës dhe ndriçuesi i mendjeve, apo përcaktuesi i duhur për hapat që do të hidhen?

Sigurisht që jo. Paqëndrueshmëria ekonomike, që ndihej më shumë se tek kushdo tek studentët, të cilët ishin bërë një barrë e papërballueshme për familjet e tyre, ç’instalimi i meritokracisë dhe ndalimi me ligj i lirive kryesore politike, kulmuan në atë dhjetor, u frymëzuan nga ngjarjet në Europën Lindore, sidomos nga fundi i Çaushesku në Rumani dhe, në veçanti, nga ngjarjet e 2 korrikut 1990, ngjarje të cilat pakkush i merr në konsideratë. Pra, frika kishte filluar të vritej dhe ne nuk kishim nevojë për heronj që do të zbrisnin nga qielli për të na çliruar nga vargonjtë e frikës dhe diktaturës.

Ne po e përjetonim fundin e diktaturës dhe ky përjetim u kthye në revoltë, e cila shpërtheu pa koordinim dhe pa lidership. Kush i vuri dekorata vetes, le të ketë “nderin” të na shpjegojë sot pse jemi këtu ku jemi. Duke analizuar ngjarjet sot, them me bindje se Ramizi dhe partia e tij gatuan me shumë sukses dështimin e sistemit të diktaturës së proletariatit, duke na dhënë motivin e lëvizjes dhe duke interferuar sa mundi në të, fatkeqësisht me pasoja fatale për të. Lëvizja lindi nga revolta e pastër studentore, por shumë shpejt u manipulua ajo dhe produkti i parë i saj, Partia Demokratike. Paturpësisht, ajo lëvizje dhe kjo parti i atribuohen Sali Berishës, i cili, për hir të së vërtetës, iu bashkëngjit asaj lëvizjeje pasi ajo shpërtheu, duke na sjellë të falat nga Ramizi dhe vlerësimet për të dhe komandimin e brigadave partizane prej tij deri në Jugosllavi.

Fatkeqësisht, po prej tij, pas puçit statutor të realizuar me kooptime dhe prapaskena, PD rrëshqiti nga një krijesë idealiste studentore në një organizim interesash meskinë, të denjë vetëm për të mbajtur peng të ardhmen, zgjidhjen e padrejtësive historike dhe ringritjen e krejt kombit shqiptar. Na u vranë ëndrrat, shpresat, besimi dhe çdo gjë tjetër që i jep dinjitet qenies njeri. Liritë dhe të drejtat tona kanë mbi 30 vite që duhet të blihen, pasi lejuam instalimin më të skajshëm të padrejtësisë në Europë. Pikërisht nga ky produkt i sotëm, duhet analizuar Dhjetori ‘90 dhe duhet thënë qartë dhe me plot gojën që: fatkeqësisht dështuam, dinim nga po iknim dhe nuk dinim ku po shkonim, nuk vazhduam përballjen dhe, për më tepër, lejuam tjetërsimin e gjithçkaje përpara syve tanë. Pikërisht ky tjetërsim i kësaj lëvizjeje, ku ish-komunistët u bënë padrone real të saj, fakton më së miri se orkestrimi i Ramizit dhe Partisë së Punës ishte fatal për këtë lëvizje.

Pabesueshmërisht, produkti kryesor i kësaj lëvizjeje ra pa kthim nën thundrën e komunistit me kartën e PP me numër 108690 të datës 8 nëntor 1968. Analizoni një nga një figurat e kësaj Anti-PD për të parë se si shumica e tyre garoi kundër PD të vitit ‘91 dhe iu bashkëngjitën asaj pasi ajo erdhi në pushtet. Çdokush e kupton çfarë do të thotë kjo dukuri. Analizoni të paktën vetëm një rast: Fahri Balliun, dhe pikërisht rasti i tij do t’ju çojë tek thelbi i padiskutueshëm. Analizoni çfarë bënë së bashku me PP: ligjin 7501, ligjin e mbajtjes peng të këtij sistemi që duam të ndërtojmë dhe të gjithë formalizimin e ekonomisë së vendit dhe garantimin e investimeve. Janë pafund faktet që flasin për të vërtetat historike, larg retorikave politike.

-Çfarë mendimi keni për liderët e lëvizjes së dhjetorit, sidomos për Azem Hajdarin dhe Sali Berishën?

Për të parin do të veçoja intuitivitetin e lindur dhe pjekurinë e të kuptuarit me kohë se, në krah kishte një kundërshtar më të rrezikshëm se Ramizi. Për të dytin do të them se ai ishte dhe mbetet mallkimi i fundit i Ramizit për ne, litari jashtë i tij, fatkeqësia e madhe e Shqipërisë dhe sfida e vërtetë e idealeve të Dhjetorit ‘90. Pikërisht kjo e fundit më ka vendosur personalisht tërësisht përballë tij. Me sa duket, Dhjetori ‘90 akoma nuk ka mbaruar.

-Ish-presidenti Ilir Meta vijon sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe ndërkohë mbështetësit e tij kanë protestuar para godinës së SPAK. Çfarë mendoni për këto veprime dhe mesazhin që ata kërkojnë të dërgojnë për sistemin e drejtësisë në vend?

Janë sulme bajate, por dhe të rrezikshme njëkohësisht, pasi guxojnë të mendojnë se ata kanë forcën t’i imponohen organeve të drejtësisë dhe ta mbajnë akoma peng pavarësinë e saj. Pikërisht sulmet dhe protestat kundër drejtësisë jo vetëm duhet goditur publikisht si antikombëtare, por edhe të ndalohen ligjërisht. Këto sulme frenojnë punën e organit të akuzës dhe inkurajojnë krimin dhe korrupsionin që duket qartë nga SKY ECC se në çfarë niveli është. Këto janë sulme të paprincipta anti-institucionale, që synojnë mosrealizimin e reformës në drejtësi dhe pavarësinë e saj, frenimin e hetimeve ndaj Metës dhe pushimin e çështjeve ndaj tij.

-A mendoni se këto kërcënime dhe veprime kanë një ndikim real në funksionimin e SPAK? Cilat mund të jenë synimet e Ilir Metës me këto reagime?

Agjentët e BKH-së kanë sekuestruar telefonin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, dhe pati kontroll në një studio. Çfarë mund të tregojë ky veprim për hetimet që po zhvillohen për pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij? Thjesht dhe qartë, që SPAK-u po ecën drejt një rritje jo vetëm të kapacitetit dhe përvojës, por edhe të personalitetit të tij. Shumë shpejt, përballë tij nuk do të ketë asnjë mollë të ndaluar. Ka filluar shembja e idhujve, të cilët kanë menduar se janë mbi ligjin apo vetë ligji.

Nuk e paragjykoj vazhdimin e hetimeve lidhur me rastin dhe as përfundimin e tij, por vlerësoj përballjen dhe punën e SPAK-ut, duke na përcjellë mesazhin që ata nuk intimidohen më dhe nuk marrin mesazh-urdhra nga politika. Këto veprime tregojnë se kemi dyshime të arsyeshme për të dyshuar dhe hetuar mbi pasurinë e Veliajt dhe pikërisht këto dyshime kanë lindur nga disa hetime dhe duhen sqaruar tërësisht nga disa hetime të tjera në vazhdim, ku sigurisht bën pjesë si domosdoshmërisht edhe sekuestrimi i telefonit. Inkurajoj SPAK-un që t’i shkojë deri në fund çdo hetimi që ai e mendon të nevojshëm dhe të arsyeshëm.

-Si e shikoni ndikimin e këtyre hetimeve në imazhin politik të Erion Veliajt, duke qenë se ky i fundit shihet se mund të jetë pasardhësi i Edi Ramës?

Ligjërisht duhet të presim si do të shkojë procesi deri në shpalljen ose jo të fajësisë, nëse do të kishim një dërgim të çështjes për gjykim paraprakisht. Politikisht ka kohë që kulti i individit të mbjellë nga Veliaj për veten ka rënë, aq sa kemi kohë që kemi thënë pse aferat e bashkisë nuk kanë një kokë siç kanë edhe sukseset e saj. Kush ka marrë sukseset për të ngritur kultin e tij dhe jo të institucionit, duhet të marrë edhe kusuret, qofshin ato edhe vetëm politike e jo më pastaj ligjore. Lidhur me pasardhësin e Ramës në PS, më duhet të them që Rama nuk lejon ta bëjnë rahmet për së gjalli, prandaj kanë gabuar që e kanë sfiduar në mënyrën e tij. Trashëgimia jepet, nuk merret. Merita merret, nuk lypet.

-Si mendoni se po funksionon sistemi i drejtësisë në Shqipëri në këtë periudhë të ndërlikuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikanët e lartë si Berisha dhe Meta?

Besoj se kemi nevojë për hapa më të shpejtë drejt pastrimit të plotë të sistemit, inkurajimit të tij, bashkëpunim më të fortë me institucionet e tjera shtetërore, zbatimin të rreptë procedural, orientimin nga pavarësia dhe sidomos forcimin e integritetit të vetë sistemit. Besoj se duhet ta shohin përballjen me politikën si sfidë dhe jo si fatalitet, si sfidë të detyrueshme kalimi i së cilës do të ishte reforma e vërtetë apo prova kryesore e saj.

-A është Shqipëria gati të ketë një drejtësi të pavarur dhe të fuqishme që të mund të hetojë politikanët që deri më dje e konsideronin veten të paprekshëm?

Patjetër që jo. “Gati” në është ajo që nuk mund të mendohet. Fakti që politika është në një pazar të plotë anti-reforme, tregon më së miri se pikërisht ajo e konfirmon se drejtësia po vendoset përballë saj, apo se një sistem i pavarur drejtësie është i destinuar të vendoset përballë saj. Thjesht duhet të besojmë dhe të shpresojmë. Unë besoj dhe shpresoj./SOT

Lini një Përgjigje