TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Janar 2024, 16:03

Ristrukturimi i Gardës së Republikës, 70 vende të lira për punonjës të nivelit bazë; aplikimet deri më 26 janar

Shkruar nga Pamfleti

Ristrukturimi i Gardës së Republikës, 70 vende të lira

Garda e Republikës ka hyrë në një fazë të re ristrukturimi dhe transformimi. Ministri i Brendshëm Taulant Balla fton çdo të ri apo të re, të moshës 19–30 vjeç të bëhen pjesë e Gardës pas shpalljes së konkursit për 70 vende të lira për punonjës të nivelit bazë, me gradën Inspektor.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Balla fton aplikantët të bëhen pjesë e garës duke plotësuar kriteret për testimin që do të bëhet në datën 29 janar, për të vijuar me 3 fazat e tjera, vlerësimit të aftësive shëndetësore, intervistës, testit psikologjik si dhe testimit të aftësive fizike.

"Garda e Republikës kryen çdo ditë misionin e saj me vendosmëri dhe besnikëri ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit. Ndoshta shumë nuk e dinë faktin se heroi ynë Isa Boletini ka meritën e veçantë si krijuesi i parë i Gardës Kombëtare në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës. Sot, Garda e Republikës po hyn në një fazë të re transformimi dhe ju fton të bëheni pjesë e saj, duke shpallur konkurimin për 70 vende të lira për punonjës të nivelit bazë, me gradën Inspektor. Çdo i ri apo e re, të moshës 19–30 vjeç, që kanë dëshirë të shërbejnë në Gardë mund të aplikojnë deri në datë 26 janar 2024. Aplikantët do t’i nënshtrohen testimit në tre faza, vlerësimit të aftësive shëndetësore, intervistës dhe testit psikologjik si dhe testimit të aftësive fizike", shkruan Balla.

Ky ristrukturim i Gardës së Republikës vjen pas miratimit të organikës së re në fund të vitit të shkuar që e çon numrin në total në 1.505 për shkak të ndryshimeve edhe të ruajtjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të posaçëm, pas kërcënimeve të fundit për vrasje nga grupet kriminale.

 

Lini një Përgjigje