
Orët e pasdites kanë sjellë rëndim të reshjeve të borës ku në lartësi mbi 800 metër trashësia ka arritur deri në 20 cm.
Reshje bore tashmë ka edhe brenda qyteteve të Kukësit, Krumës dhe Bajram Currit, por bora vetëm sa ka zbardhur në këto qytete.
Policia Rrugore udhëzon drejtuesit e mjeteve të kenë pajisjet dimërore me vete në mjetin e tyre, pasi prezenca e borës, akullit e lagështirës është në të gjitha akset nacionale dhe rurale.
Edhe Rruga e Kombit, në segmentin Fan-Morinë vijon të ketë reshje bore intensive por pa shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve.
Ndërsa disa zona si: Myhejan, Buçaj, Astë e Sopot njësia administrative Tropojë, Bashkia Tropojë kanë probleme me energjinë elektrike bëhet me dije nga Shtabi i Emergjencave Civile në Kukës.
Reshjet e borës në qarkun Dibër kanë zbritur deri në 600 metra mbi nivelin e detit, ku kanë nisur të shfaqen edhe problematika.
Aksi rrugor në të cilin kërkohet që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes është ai i rrugës së Arbrit. Më problematike situata paraqitet në Bulqizë dhe Maqellarë ku ka prani të dëborës në asfalt. Në orët e pasdites intensiteti i reshjeve është shtuar.
Situata mund të përkeqësohet gjatë orëve të mbrëmjes ku temperaturat do të zbresin disa gradë nën zero.
Reshje dëbore ka pasur gjithashtu edhe në Lezhë, ndërsa ka pasur probleme në qarkullimin e mjeteve në segmentin Kallmet-Ungrej.
Reshje bore janë regjistruar edhe në qytetin e Pogradecit me intensitet deri në mesatar, një fenomen i pazakontë për këtë periudhë të vitit.
Lini një Përgjigje