
Gazetari Blendi Fevziu është shprehur se mënyra se si është larguar deputeti Arben Ahmetaj, lë dyshime se ai nuk do të kthehet për t’u përballur me drejtësinë.
Në një intervistë për “Klan Tv”, ai tha se nuk do të ketë surpriza për sa i përket vendimit për heqjen e mandatit për Ahmetajn, pasi thotë se duket se “mazhoranza e ka lëshuar deputetin”.
Më tej Fevziu shtoi se raportet e Ahmetajt me Ramën janë thyer shumë më herët, madje sipas tij kjo është vërejtur edhe në deklaratat e tyre publike.
“Atë nuk e di se vetë Ahmetaj nuk ka dhënë asnjë shpjegim, por mënyra se si Ahmetaj është larguar ditën e premte, pra pak orë ndoshta edhe minutash para se SPAK të dërgonte në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të tij, të lë dyshime se Ahmetaj nuk do të kthehet për t’u përballur me procesin, të paktën jo në fillime sepse ne nuk e dimë se si do të shkojë më pas. Gjithsesi, këto janë thjesht dyshime. Pyetja e vetme që shtrohet është nëse Ahmetaj vetë do të jetë i pranishëm apo jo.
Mesa nuhas, raportet e Ahmetajt me Ramën janë thyer më herët. Edhe në “Opinion” disa muaj më parë, Ahmetaj i ka dhënë mesazhet kryesore Ramës. I tha që “kryeministri të bëjë kryeministrin”. Nuk kishte gazetar që merret me kronikën që nuk e dinte që diçka do të ndodhte me Ahmetajn. Nuk është kaq sekret, nuk erdhi papritur. Ahmetaj mund të largohej derisa të hiqej imuniteti. Kjo është çështje e vullnetit nëse do të përballet me drejtësinë apo jo. Nëse Ahmetaj nuk paraqitet në gjykatë, e rëndon politikisht çështjen e iniceneratorëve”, tha Fevziu.
Lini një Përgjigje