
Laboratori i Xibrakës u zbulua nga policia e Hanoverit në Gjermani. Ata kanë përgjime, foto, video dhe të dhëna mbi të gjithë grupin që operonte...
Prokuroria e Posaçme nxori të pastër vëllanë e kryeministrit për laboratorin e drogës në Xibrakë. Pas disa muajsh hetime, SPAK njoftoi sot mediat se hetimet janë mbyllur dhe nuk rezulton askund që Olsi Rama të ketë lidhje me drogën.
Hetimet nisën pas akuzave që bëri Gazment Bardhi, i cili nxori të dhënat e TIMS. SPAK bën me dije se ka bashkëpunuar dhe me homologët e Kosovës dhe nuk gjeti gjë. Kjo pasi pretendohej se makina që hynte e dilte në Xibrakë, u përdor nga Olsi Rama për të shkuar drejt Kosovës.
“Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë dhe bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës. Nga hetimet rezulton se nuk ekzistojnë prova apo fakte që lidhin shtetasin Olsi Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm”, shprehet SPAK në një reagim për mediat.
Por nëse shohim reagimin e SPAK, ngrihet normalisht pyetja: Pse SPAK nuk dërgoi letër-porosi në Gjermani?
Laboratori i Xibrakës u zbulua nga policia e Hanoverit në Gjermani. Ata kanë përgjime, foto, video dhe të dhëna mbi të gjithë grupin që operonte. Mjaftonte një letër-porosi atje dhe e gjithë dosja vinte në Tiranë. Vetëm pas kësaj mund të deklarohej nëse kishte gisht apo jo vëllai i kryeministrit.
Po ashtu, SPAK hetoi nëse kishte dekonspirim apo mbyllje të qëllimtë të hetimeve herën e parë. Hetimet janë zhvilluar nga 3 emra: Olsian Çela, Edvin Kondili e Neritan Nallbati. Mjafton të pyeteshin këta persona dhe ata e dinë nëse kemi të bëjmë apo jo me vëllanë e kryeministrit.
Gjithsesi pritej një rezultat i tillë, pasi nëse Olsi Rama do dilte i përfshirë te Xibraka, do binte qeveria. Vetë kryeministri në mesazhet e koduara që i dërgonte SPAK-ut e paralajmëroi se ai nuk do rrinte më asnjë minutë kryeministër nëse vërtetoheshin akuzat e Bardhit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje