
Protesta qytetare kundër qeverisë ka vijuar edhe sot duke shënuar ditën e saj të dhjetë, me qindra qytetarë të mbledhur në Tiranë për të kërkuar largimin e kryeministrit Rama dhe ndryshime në drejtimin e vendit.
Gjatë marshimit, një prej protestueseve mbajti një fjalim kritik jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës, duke akuzuar klasën politike për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria pas më shumë se tre dekadash tranzicion.
Protestuesja kundërshtoi gjithashtu pretendimet mbi numrin e pjesëmarrësve në tubim, duke theksuar se lëvizja po fiton mbështetje të vazhdueshme.
“Na thanë se janë 2 mijë veta. Na vjen keq që ju kemi prishur gjumin si kryeministrit, ashtu edhe atij që pretendon se drejton opozitën. Kanë marrë peng vendin prej 35 vitesh. Ne jemi më të fortë se kurrë që ta bëjmë Shqipërinë për të jetuar me dinjitet në këtë shtet. Jemi pa parti politike dhe thirrja ‘Rama në burg, Berisha në burg’ jehon”, deklaroi ajo para protestuesve.
Sipas organizatorëve, protesta mbetet një lëvizje qytetare e pavarur nga partitë politike dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje