Sipas dosjes me prova dhe dokumente, Artan Tabaku dhe 15 policë kanë bashkëpunuar me 53 të dënuar me burgim të përjetshëm, për favorizimin e këtyre të fundit në këmbim të interesave private.
Një ditë pasi Sokol Mjacaj ekzekutoi në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit Arben Lleshin dhe plagosi shokun e qelisë Indrit Shaqja, prokuroria e Elbasanit urdhëroi arrestimin e drejtorit të burgut Kamber Hoxha dhe 11 punonjës pjesë e zinxhirit komandues, të cilët akuzohen se nuk kanë ushtruar kontroll ndaj të burgosurit.
Duket se prokuroria po nxitohet dhe investohet në drejtim të gabuar.
Prapaskena mëson se me 22 nëntor 2023 Ministria e Drejtësisë ka referuar një dosje në Prokurorinë e Elbasanit për ish drejtorin e Burgut të Peqinit, Artan Tabaku dhe 15 policë pranë këtij burgu, për veprime që kanë sjellë cenimin e sigurisë në burg.
Sipas dosjes me prova dhe dokumente, Artan Tabaku dhe 15 policë kanë bashkëpunuar me 53 të dënuar me burgim të përjetshëm, për favorizimin e këtyre të fundit në këmbim të interesave private.
Nën drejtimin e Tabakut dyshohet se janë sabotuar masat e sigurisë në burg.
Një pjesë e kamerave të sigurisë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit në Peqin nuk punonin.
Po ashtu edhe skaneri prej kohësh nuk ka punuar, por është rregulluar ditët e fundit pas komandimit të drejtorit të ri.
Kjo dosje ka paralajmëruar edhe ngjarjen e rëndë në burgun e Peqinit, ku Sokol Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin, siç dyshohet me pagesë.
Prokuroria e Elbasanit nuk ka marrë asnjë masë ndaj ish drejtorit Artan Tabaku dhe grupit të tij në burgun e Peqinit që nga 22 nëntori 2023, ndërkohë që nxitoi për të arrestuar administratën e re të burgut.
Nga ana tjetër, Sokol Mjacaj ka deklaruar se e kishte siguruar prej 20 ditësh pistoletën, që do të thotë se plani për vrasjen ishte bërë disa javë ose muaj para, kur burgu drejtohej nga Artan Tabaku.
Pavarësisht masave të Ministrisë së Drejtësisë, duke denoncuar Tabakun dhe grupin e tij si dhe duke kaluar Mjacaj në 41 bis, krimi u realizua pasi organizimi ishte bërë ndërkohë.
Teksa Mjacaj ka sajuar një alibi të dobët si motiv për vrasjen e Lleshit, Prokuroria e Elbasanit duket se po shmang pistën kryesore të vrasjes, atë të pagesës për hakmarrje dhe implikimit të ish drejtorit për të krijuar kushtet për kryerjen e krimit
Ngjarja
Rreth orës 13:52 minuta të datës 15 dhjetor 2023, në ambientet e regjimit të brendshëm të IEVP Peqin, Sokol Mjacaj doli nga qelia e tij dhe i është afruar dritares së qelisë së Arben Lleshit, të cilin pasi e ka thirrur në emër, e ka qëlluar.
Ndërsa i plagosur aksidentalisht me një plumb në këmbë mbeti edhe shoku i tij i qelisë Indrit Shaqja, i cili po merr trajtim në spitalin e burgut në Tiranë.
Sokol Mjacaj ka qëlluar 5 herë me pistoletë nga dritarja e qelisë ku ndodhej objektivi i tij. Dy plumba I kanë shkaktuar vdekjen në vend Arben Lleshit, një plumb ka plagosur Indrit Shaqen.
Me armën e krimit në dorë Sokol Mjacaj, është neutralizuar rreth një orë pas ngjarjes me ndërhyrjen dhe negociatat e forcave RENEA, pasi iu garantua se nuk do i cenohej jeta. Hodhi armën dhe me një palë pranga lidhi veten në kangjellat e qelisë dhe priti arrestimin.
Nga dëshmia që ka dhënë në hetuesi, Sokol Mjacaj kishte 20 ditë që e kishte pistoletën.
Nga momenti i vrasjes brenda burgut të sigurisë së lartë të Peqinit e deri më tani Sokol Mjacaj, 28-vjeçari i dënuar përjetë për vrasjen e 2 turistëve çek në zonën e Dukagjinit në vitin 2015, mbahet në një vend sekret.
Aty, hetuesit po e pyesin përse vrau në qeli Arben Lleshin, të dënuar përjetë për vrasjen në 2013-ën në Angli, të Agim Hoxhës, të cilin e dogji të gjallë brenda në makinë.
Mjacaj tenton ta quajë të gjithë një konflikt të çastit, duke e motivuar vrasjen me faktin që Arben Lleshi nuk e kishte pranuar në sektor. Por hetuesit dyshojnë përtej këtij skenari.
Gjasat janë për një vrasje me pagesë, dhe pyetja e gjatë e Mjacajt është orientuar në këtë drejtim: Në zbulimin e porositësve, e emrave që e donin të vdekur të dënuarin Lleshi.
Pista kryesore, është hakmarrja e dyshuar ndaj Lleshit, për vrasjen e bashkëkombësit në Angli, e mbi këtë dyshim janë shoqëruar disa familjarë të shqiptarit të djegur Agim Hoxha, të cilët janë liruar pas marrjes në pyetje.
Efektivët kanë bastisur edhe shtëpinë e Sokol Mjacajt në Dukagjin për të shkuar në gjurmët e provave që mund t’i vlejnë hetimit.
Misteri i dytë që hetuesit kërkojnë të zbërthejnë, është se si hyri pistoleta brenda burgut të Peqinit Sokol Mjacaj ka hedhur poshtë në dëshmi teorinë e marrjes së armës përmes dronit, dhe ka thënë se e ka marrë dorazi, por pa treguar emrin e personit që ia ka sjellë brenda burgut.
Thotë se nuk e mban mend ditën e saktë se kur e ka pasur armën e ndaluar në qeli, por përafërsisht thotë para 20 ditësh./ Prapaskena
Lini një Përgjigje