Komisioni Europian ka gati progres-raportin për vendin tonë dhe ka shumë kritika, sidomos në fushën e zgjedhjeve dhe drejtësisë....
Shqipëria duket se ka mbetur në vendnumëro sa i takon integrimit në BE. Edhe pse Brukseli kërkon reforma në shumë sektorë, duket se qeveria e ka lënë pasdore këtë çështje.
Nesër BE do të diskutojë për vendet aspirante, teksa në progres-raport ka shumë kritika për vendin tonë. Korrupsioni shihet si problem mjaft serioz. Edhe pse SPAK ka kryer goditje, Komisioni Europian kërkon të shkohet te nivelet më të larta.
“Pavarësisht disa përparimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë një numër dënimesh të nivelit të lartë dhe hetime financiare në nivel të lartë, sërish mbetet një fushë me shqetësim serioz. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe masat për parandalimin e tij vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët vulnerabël”, thekson BE.
Një shqetësim shihet dhe sa i takon luftës kundër krimit. Për europianët, trafiku i drogës është kthyer në shqetësim serioz.
“Duhet të bëhen më shumë përpjekje në luftën kundër drogave të paligjshme, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve të autoriteteve të zbatimit të ligjit. Pas miratimit të ligjit për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale. Shqipëria duhet të sigurojë se ekzistojnë mekanizma për të parandaluar në mënyrë efektive devijimin e kanabisit në përdorim të paqëllimshëm. Progresi që është arritur me sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar duhet të vazhdojë. Përpjekjet gjithashtu duhet të vazhdojnë për të siguruar një rritje të numrit të ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në rastet e nivelit të lartë, dhe për të krijuar zyrën e rikuperimit të pasurisë”, theksohet më tej.
BE ndalet dhe te reforma në drejtësi. Sipas raportit, efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe qasja në drejtësi vazhdoi të ndikohet nga afati i gjatë i procedurave, ngarkesa e shtuar e punës dhe numri i madh i lëndëve të pazgjidhura, i cili mbetet veçanërisht i lartë në gjykatat e apelit dhe të shkallës së parë. Më tej kërkohet të hetohen të ngelurit në veting.
“Në qershor 2023, Gjykata e Shkallës së Parë të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese me 6 muaj burg për deklarim të rremë dhe fshehje gjatë procesit të vetingut. Shqipëria duhet të sigurojë që procedurat penale të nisin sistematikisht kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i verifikimit të të cilëve zbuloi elementë kriminalë”, shpjegohet në raport.
BE ka shfaqur kritika dhe sa i takon reformë zgjedhore dhe zgjedhjeve vendore. Ashtu si OSBE, edhe BE shprehet se PS përdori pushtetin për të marrë vota. “Ka shqetësime për keqpërdorimin e burimeve publike si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë vendor, pretendime për presion mbi votuesit dhe punonjësit e sektorit publik dhe pretendime për blerje votash. Të gjitha këto duhet të hetohen siç duhet”, thuhet më tej.
BE deklaron se aktiviteti parlamentar vazhdoi të ndikohej nga polarizimi politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare. /Pamfleti
Lini një Përgjigje