
Prezenca e OSBE-së ka vlerësuar shkrimin që nxirrte blof Erion Veliajn për mbjelljen e pemëve në Tiranë. Bëhet fjalë për një shkrim të “Citizens Channel”. Sot ky shkrim është vlerësuar nga OSBE gjatë edicionit të nëntë të Forumit për Zhvillimin e Medias.
I pranishëm ishte edhe i Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca i cili tha se liria e medias është në qendër të politikës së zgjerimit të BE-së, ndaj inkurajoi qeverinë shqiptare dhe autoritetet publike që të angazhohen me komunitetin e medias dhe palët e interesuara për të adresuar sfidat.
“Të gjitha shtetet që kërkojnë të bëhen shtete anëtare në BE duhet të tregojnë për angazhimin e tyre të besueshëm për këtë gjë duke promovuar lirinë e fjalës dhe të medias duke trajtuar të gjitha aspektet e ndryshme madje dhe aty ku ka pengesa e vështirësi qeveria dhe autoritetet publike kanë përgjegjësinë kryesore për të krijuar një mjedis lehtësues për mediat. Prandaj ne vijojmë me inkurajimin e autoriteteve për të përshpejtuar përpjekjet e tyre për të trajtuar vështirësitë që ekzistojnë", tha Soreca.
Edhe Ambasadori Bruce Berton, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi angazhimin e Prezencës për kauzën e lirisë së medias në vend.
“Është thelbësore që mediave t’u ofrohen mjetet dhe politikat institucionale për t’i ndihmuar ato që të lundrojnë në një mënyrë të përgjegjshme dhe etike në ekosistemin e informacionit që ndryshon me shpejtësi. Në përputhje me parimet e OSBE-së, të cilat qeveria është angazhuar që t’i zbatojë si një nga 57 shtetet tona pjesëmarrëse, institucionet publike shqiptare duhet t’i krijojnë medias hapësirën e nevojshme që të funksionojë pa pengesa. Për këtë arsye, i nxisim autoritetet që të kenë parasysh ruajtjen e ekuilibrit dhe të peshojnë me kujdes të drejtën për shpërndarjen e informacionit që është i rëndësishëm për publikun. Faktet duhen lënë gjithmonë të dalin në dritë, madje edhe ato që bëjnë thirrje për mbajtjen e përgjegjësisë apo që zbulojnë abuzime a korrupsion”, tha ai.
Lini një Përgjigje