TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Janar 2026, 16:02

Prerja e pemëve në Vlorë vë në lëvizje KLSH, inspektim në Pyllin e Sodës

Shkruar nga Pamfleti
Prerja e pemëve në Vlorë vë në lëvizje KLSH,
Pylli i Sodes

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbarkuar sërish në Vlorë, këtë herë për të hetuar ndërhyrjet e dyshimta në një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të qytetit, Pyllin e Sodës. Prej javësh, qytetarët kanë denoncuar prerjen e pemëve dhe punime të dyshimta në këtë zonë të mbrojtur, çka ka detyruar KLSH të ndërhyjë me inspektime në terren.

Sipas burimeve pranë hetimit, inspektorët e KLSH po verifikojnë jo vetëm situatën faktike në pyll, por edhe dokumentacionin që shoqëron ndërhyrjet. Bashkia e Vlorës ka një kontratë me një kompani private për rehabilitimin dhe pastrimin e pyllit, por pikërisht kjo kontratë është vënë në pikëpyetje. Dyshohet se ndërhyrjet nuk janë kufizuar vetëm në pastrim, por ka pasur edhe prerje të pemëve të reja, çka përbën shkelje të rëndë të ligjit mjedisor.

KLSH po kontrollon të gjithë territorin e pyllit për të dokumentuar dëmet e mundshme dhe për të identifikuar nëse përgjegjësia bie mbi bashkinë, kompaninë private apo funksionarë të tjerë publikë. Kjo nuk është hera e parë që kjo zonë e gjelbër është në fokus të kontrolleve; edhe më parë janë ngritur dyshime për ndërhyrje pa kriter dhe mungesë transparence.

Në përfundim të procesit, pritet një raport i detajuar nga KLSH, i cili do të publikojë gjetjet dhe do të përcaktojë nëse ka përgjegjësi administrative apo penale. Pylli i Sodës është një zonë e mbrojtur që ndikon direkt në cilësinë e jetës së qytetarëve të Vlorës, ndaj çdo dëmtim i tij nuk është vetëm skandal administrativ, por një akt kundër interesit publik dhe mjedisit.

 

pylli i sodes peme

Lini një Përgjigje