Komisioni i Pavarur i Kualifikimi ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Durrësit Ndriçim Troplini. Vendimi u mor sot nga trupa e përbërë nga Firdes Shuli, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari.
Më 6 korrik 2023, Troplini t u thirr në seancë rivlerësimi, ku hetimi i Komisionit të Vetting dhe provat që paraqiti Vëzhguesja Ndërkombëtare, Elka Ermenkova, vërtetuan abuzimet e tij të shumta e të rënda gjatë detyrës për 3 vite në Fier e 16 vite në Durrës.
Gjatë 5 orëve ballafaqim me provat, rezultoi se prokurori Ndriçim Troplini, ka njolla të shumta korrupsioni me objekt favorizim personash e grupesh kriminale, që kanë kryer trafiqe droge, kontrabandë, përdhunime, grabitje pasurie me letra false e dhunë, rrëmbime, gjobë vënie e vrasje.
Në Komisionin e Vetting dhe te vëzhguesi ndërkombëtar, janë bërë 260 denoncime konkrete me emra qytetarësh e çështje penale, për aferat dhe lidhjet e prokurorit Ndriçim Troplini, me eksponentë të botës së krimit dhe zyrtarë të korruptuar, nga të cilat janë verifikuar e faktuar 112 raste, ndërsa në seancën e vettingut u paraqitën 28 të tilla.
Rasti më i rëndë i përfshirjes së prokurorit Ndriçim Troplini me dosjet e krimeve, është e lidhur edhe me dëshminë e killerit Nuredin Dumani në SPAK, se ky prokuror “monstër” ka marrë 200 mijë Euro ryshfet nga kriminelët Festim Qoli e Henrik Hoxha, për pushimin e 2 dosjeve të vrasjes nënë e bir në Durrës.
Lini një Përgjigje