TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Prill 2024, 16:04

Nga vrasjet me pagesë, te trafiku i kokainës, ja harta ku operojnë grupet kriminale; shtohet numri i femrave, bandat lidhje me zyrtarë

Shkruar nga Pamfleti
Nga vrasjet me pagesë, te trafiku i kokainës, ja harta ku
Foto ilustruese

Prokuroria e Posaçme ka zbërthyer skemën se si operojnë grupet kriminale në vend. Altin Dumani prezantoi sot raportin vjetor të punës për vitin 2023 dhe një hapësira i kushtohet krimit. “Pamfleti” ka siguruar pjesë nga raporti dhe aty jepen detaje se si janë organizuar grupet kriminale.

Veçoritë e përgjithshme të grupeve kriminale shqiptare

Nga analiza e hetimeve të kryera në vitin 2023, veçoritë më specifike të grupeve kriminale shqiptare janë një anëtarësi mesatare e pjesëtarëve të grupit prej 15-25 personash. Grupet kriminale shqiptare janë kryesisht poli-kriminale, ku përfshihen kryesisht trafiku i narkotikëve, vrasjet, rrëmbimet, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit etj. Dhuna, e cila është një veçori në zbehje mbetet një karakteristikë tjetër e grupeve kriminale shqiptare. Kryesisht dhuna përdoret nga grupe me strukturë hierarkike, të cilat bazohen në lidhje gjaku dhe familjare, dhe të cilat janë në konflikt për kontroll territori ose konkurrencë për tregje kriminale. Grupet shqiptare të cilat e kanë këtë veçori, janë kryesisht grupe, të cilët kanë aktivitet të konsoliduar në një territor të caktuar, por të cilat kanë gjithashtu shtrirje dhe aktivitet kriminal edhe në tregjet kriminale ndërkombëtare. Në rastet e kryerjes së veprimtarisë në tregjet ndërkombëtare kriminale, grupet shqiptare bashkëpunojnë edhe më grupe të tjera për shërbime të cilat nuk mund të mbulohen prej tyre. Vërehet gjithashtu një bashkëpunim i grupeve kriminale edhe me oficerët e policisë së shtetit të rangjeve të ndryshme në territorin shqiptar, si dhe funksionarë të organeve të drejtësisë, të cilët kanë luajtur role të ndryshme, duke filluar që nga dekonspirimi i operacioneve policore, njoftimi për personat kundërshtar të vënë në shënjestër nga grupet kriminale, dhënie informacioni për individë të ndryshëm, dhe aktivitetet të tjera në pengimin e drejtësisë.

Nga vrasjet me pagesë, te trafiku i kokainës, ja harta ku
Veçoritë e përgjithshme të grupeve kriminale shqiptare

Një karakteristikë shqetësuese është dhe përfshirja e personave kyç në jetën komunitare, siç janë edhe Kryetarët e Fshatrave (kryepleqtë), të cilat janë përfshirë qoftë drejtpërdrejt në aktivitete kriminale ose në mënyrë indirekte duke shpërdoruar detyrën ose duke mos kallëzuar krimin. Shihet një tendencë në rritje e angazhimit të femrave në funksione të rëndësishme për grupet kriminale. Disa nga rolet më tipike të evidentuara në organizatat kriminale, të cilat merren me trafikun e narkotikëve, janë ato në administrimin e të ardhurave dhe mbikëqyrja e transferimit fizik dhe nëpërmjet institucioneve bankare të parave. Kryesisht femrat të cilat luajnë këto role, janë bashkëjetuese të krerëve të organizatës dhe konsiderohen si persona shumë të besueshëm të organizatës kriminale. Format e sofistikuara të vrasjeve, duke shmangur lënien e gjurmëve janë një tjetër karakteristikë e grupeve kriminale. Tashmë janë evidentuar grupe kriminale të specializuara në vrasjet me pagesë. Vihet re gjithashtu, përdorimi gjithnjë e më në rritje i formave të koduara të komunikimit duke përdorur aplikacione të ndryshme dhe aparate telefonike të specializuara për të tilla komunikime. Kryerja e pagesave, si dhe konvertimi i parave në kriptovaluta është një tjetër veçori e cila është evidentuar gjatë vitit 2023. Duhet cilësuar se ky fenomen është vënë re më së shumti tek grupet kriminale, të cilat kanë kryer transaksione me anë të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet aktiviteteve tregtare të ashtuquajtura “call center”.

Grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri

Struktura e këtyre grupeve varet kryesisht nga lloji i aktivitetit kriminal, kohëzgjatja, zona ku veprojnë dhe shtrirja e tyre në tregjet kriminale ndërkombëtare. Nga hetimet e vitit 2023, vihet re se disa nga grupet kriminale të njohura në vend, tashmë tregojnë sa kanë arritur të sofistikojnë veprimet e tyre, kjo dhe si rezultat i përplasjeve me grupet e tjera rivale. Këto grupe janë poli- kriminale dhe kanë shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe.

Nga vrasjet me pagesë, te trafiku i kokainës, ja harta ku
Tipologjia e një grupi të strukturuar kriminal

Prezenca e tyre në Shqipëri, dhe ndikimi në zonat ku ato veprojnë në komunitet vijon të mbetet i konsiderueshëm. Struktura e këtyre grupeve kriminale është hierarkike me ndarje të qarta rolesh, dhe me një numër mesatar anëtaresh prej 10-15 personash. Lidhjet e tyre bazohen në lidhje familjare dhe shoqërore. Pjesa vendimmarrëse bazohet tek lidhjet familjare.

HARTA E TREGJEVE KRIMINALE

Analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një realitet për tu shqetësuar. Nga hetimet e këtij viti, janë evidentuar grupe me aktivitet kriminal në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan, Kurbin dhe Fushë-Krujë. Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave. Trafiku i narkotikëve është një problem i dukshëm në rrethet e Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit dhe Kurbinit.

Nga vrasjet me pagesë, te trafiku i kokainës, ja harta ku
Harta e tregjeve kriminale në Shqipëri

Në disa qytete si, Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë. Vrasjet dhe vrasjet e mbetura në tentativë janë vënë re më shumë në qytete si, Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Këto vepra penale janë tregues i një tendence në rritje të dhunës dhe kriminalitetit në këto zona. Në zonën e Fushë-Krujës, evidentohen gjithashtu raste të blerjes së armëve dhe lëndëve shpërthyese, por dhe makinave të vjedhura të cilat shërbejnë si mjete për kryerjen e vrasjeve.

Trafiku i narkotikëve

Veprat penale në kuadër të trafikut të narkotikëve janë ndër aktivitetet kriminale më të përhapura tek grupet kriminale shqiptare. Nga analiza e këtij viti dallohen dy lloj kategorish grupesh kriminale, që ushtrojnë këtë aktivitet kriminal: 1) grupet kriminale të specializuar në trafikun e kokainës dhe 2) grupet kriminale të cilët merren me trafikun e të gjitha drogave kryesore (kokainë, heroinë, marijuanë dhe hashash).

•              Grupet kriminale të cilat merren me trafikimin e të gjitha drogave kryesore: këto grupe janë aktive në tregjet kriminale të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, kryesisht Itali, Belgjikë, Holandë, Spanjë, Greqi dhe Gjermani. Vihet re se, këto grupe kriminale kanë një prezencë ose lidhje të fortë në rrethin e Durrësit. Për shkak të portit më të madh në vend, qyteti i Durrësit ka qenë dhe vijon të mbetet një pikë tranziti për drogën, që vjen nga Ballkani Lindor dhe shkon drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore. Grupet kriminale të kësaj kategorie trafikojnë sasi të konsiderueshme kokaine dhe marijuane, por më pak sasi heroine. Ajo që duhet nënvizuar është se, cilësia e drogave të trafikuara nga këto grupe kriminale është e një cilësie të lartë, gjë e cila është edhe një avantazh konkurrues i tyre ndaj grupeve kriminale të kombësive të tjera. Duke u nisur nga mesatarja e anëtarësisë së grupeve kriminale shqiptare, këto grupe mund të kategorizohen si grupe me numër të lartë anëtarësh. Mesatarja e anëtarësisë së këtyre grupeve është mbi 20 persona. Këto grupe kriminale dallohen gjithashtu edhe për jetëgjatësinë e aktivitetit të tyre kriminal, i cili nga momenti i fillimit të aktivitetit kriminal deri në arrestimin e tyre mund të shkojë mesatarisht deri në 7 vite. Të tilla grupe kriminale operojnë me një strukturë gjysmë hierarkike, ku drejtuesi i lejon anëtarëve me role kyçe të organizatës të kenë autonomi në vendimmarrjen brenda funksioneve dhe nën strukturave që ata drejtojnë.

Nga vrasjet me pagesë, te trafiku i kokainës, ja harta ku
Rrugët e trafikimit të kokainës nga Amerika e Jugut

•              Grupet kriminale të specializuara në trafikun e kokainës: Grupet kriminale të kësaj kategorie janë kryesisht grupe të përqendruara në Amerikën e Jugut. Më pas, nëpërmjet lidhjeve me grupet kriminale shqiptare, të cilat janë aktive në tregjet kriminale të BE-së, Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor, në bazë të porosive, ose degëve të tyre në tregjet kriminale të mësipërme, marrin përsipër sigurimin dhe sjelljen e sasive të konsiderueshme të kokainës me shumicë dhe të një cilësie shumë të pastër. Disa nga portet hyrëse të kokainës në tregjet kriminale të BE-së, të cilat janë përdorur nga grupet kriminale shqiptare janë: Gioia Tauro (Itali), Roterdam (Hollandë), Antëerp (Belgjikë), Algeciras (Spanjë), Pire (Greqi) dhe në rajon (Durrës dhe Tivar). Janë evidentuar edhe rrugë ajrore, siç është rasti i aeroportit të Frankfurtit në Gjermani. Më pas sasitë e kokainës përzihen kryesisht në Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe në vendet ku trafikohen për t'u transferuar më pas në tregun e shitjes me pakicë.

Vrasjet me pagesë

Një veçori tjetër që spikat në lidhje me rritjen e sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare është krijimi i grupeve të specializuara në vrasjet apo aktet e tjera kriminale të porositura nga të tretët. Këto grupe kriminale janë të fokusuara në disa vepra penale tipike si, vrasjet ose plagosjet me pagesë, ushtrim dhune, shkatërrim prone, grabitje me dhunë etj. Organizimi i tyre është në baza shoqërore dhe kryesisht anëtarët e këtyre grupeve kanë një të shkuar kriminale. Për shkak të ruajtjes së lartë të fshehtësisë së vrasjeve me pagesë dhe nevojës për veprime, të cilat kërkojnë zgjidhje momentale të shumta, këto grupe nuk kanë një strukturë hierarkike të qartë, pasi janë grupe të cilat veprojnë në qarqe të ngushta, me 4-7 anëtarë, ku njëri ose dy prej tyre mund të konsiderohen persona kyç. Këta të fundit marrin porositë dhe bëjnë planifikimin e kryerjes së akteve kriminale. Më pas ndahen detyrat dhe kryhen veprimet. Këto grupe janë poli-kriminale dhe përveç marrjes së porosive për vrasje, kryejnë aktivitete të tjera kriminale edhe për llogari të grupit të tyre kriminal. Ndër aktivitetet kriminale më të preferuara pas vrasjeve, janë vjedhjet dhe grabitjet me dhunë të sendeve me vlerë (metale të çmuara), si dhe grabitjet e zyrave të shkëmbimit valutor. Mjetet e krimit sigurohen në tregjet kriminale, p.sh. eksplozivët sigurohen në Kosovë, makina ose motorë të vjedhur, të cilët rezultojnë të tilla në qytete të ndryshme të vendit dhe armët e zjarrit blihen në tregun e zi (p.sh. në Fushë-Krujë, Durrës, Elbasan etj.). Komunikimet midis anëtarëve të grupit në lidhje me aktet kriminale kryhen nëpërmjet platformave të koduara si, SKY/ECC dhe Encrochat. /Pamfleti

Lini një Përgjigje