
Drafti i Kodit të ri Penal që ka shkaktuar një seri reagimesh dhe kundërshtish, ka disa nene të veçanta që parashikon masa të rënda penale ndaj atyre që përhapin sëmundje infektive apo epidemi.
Duket se nga situatat e krijuara me pandeminë e Covid-19, hartuesit e draftit të Kodit të ri Penal, parashikojnë dënime të ashpra në emër të ‘mbrojtjes së shëndetit publik’.
Sipas draftit, në nenin 441 parashikohet jo më pak se 25 vjet dhe deri në burgim të përjetshëm parashikohet nëse dikush shkakton qëllimisht një epidemi përmes shpërndarjes së viruseve apo baktereve patogjenë.
Ndërkohë edhe kur kjo ndodh nga pakujdesia, dënimi shkon nga 10 deri në 20 vjet heqje lirie.
Neni 444 i draftit sanksionon se zyrtarët publikë që nuk raportojnë sëmundjet infektive apo pandemike, sipas detyrimeve ligjore, do të përballen me gjoba apo edhe masa administrative plotësuese.
Nga ana tjetër, mosrespektimi i rregullave të karantinës, urdhrave shëndetësorë apo masave gjatë gjendjes së jashtëzakonshme konsiderohen në kundërshtim me ligjin dhe mund të dënohet me burg deri në 3 vjet, në varësi të rrezikut të krijuar.
Transmetimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme duke qenë i vetëdijshëm për infektimin, do të përbëjë vepër penale që dënohet nga 2 deri në 6 vjet.
Në drafti janë parashikuar masa edhe për kontrollin e tregut farmaceutik. Prodhimi, importimi ose tregtimi i barnave pa leje, të skaduara, ose që paraqesin rrezik për shëndetin, do të dënohet me burgim deri në 8 vjet, në varësi të rrezikut.
Gjithashtu, mashtrimi në përmbajtjen, përbërjen apo dokumentacionin e barnave, si dhe çdo veprim që cenon sigurinë, efikasitetin apo cilësinë e produkteve mjekësore, do të ndëshkohet me dënime që variojnë nga 2 deri në 8 vjet burgim.
Sipas draftit të Kodit të ri Penal, edhe reklamimi “mashtrues” apo shpërndarja e produkteve të dëmshme për shëndetin, veçanërisht kur i drejtohen fëmijëve apo personave vulnerabël, dënohet me gjobë ose burgim deri në 4 vite.
Nëse këto vepra penale kryhen nga personel shëndetësor, mësues, zyrtarë publikë apo punonjës të institucioneve publike, ato konsiderohen rrethana të rënduara dhe dënimi mund të rritet deri në 50%.
Nëse përgjegjëse janë kompani apo institucione, ato mund të përballen me mbyllje të përhershme, gjobë të shumëfishtë apo konfiskim të pronës dhe të ardhurave të paligjshme.
Lini një Përgjigje