TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Prill 2023, 16:57

Nga përdorimi fondeve publike, te investimet në ndërtim, zbulohen skemat si pastrohen paratë në Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti

Nga përdorimi fondeve publike, te investimet në ndërtim, zbulohen

Skandali është se DPPPP ka zbuluar se fondet që shkojnë për bujqësinë përdoren për pastrime parash.

Gjatë vitit 2022 janë identifikuar 224 raste të pastrimit të parave në Shqipëri. “Pamfleti” ka siguruar raportin vjetor të Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe duket se ky fenomen vijon të jetë mjaft i përhapur në vendin tonë. DPPPP ka dorëzuar 23 padi në prokurori dhe 201 në polici për verifikime të mëtejshme.

Ndër rastet e dërguara në Prokurori, një peshë të veçantë zënë rastet e dërguara në SPAK të cilat përbëjnë 43% të totalit, e më tej në Prokurorinë e Tiranës rreth 26 % dhe për pjesën tjetër vërehet një shpërndarje e rasteve në Prokuroritë e rretheve Durrës, Fier, Lezhë, Vlorë, Berat. Vlen të përmendet se pesha më e madhe të rasteve të dërguara nga DPPPP i janë adresuar DPPSH, si organi ligjzbatues kryesor në vend dhe i specializuar për kryerjen e veprimeve hetimore. Krahas dërgimit të rasteve në Prokurori dhe Polici gjatë vitit 2022 ka patur edhe 19 raste të dërguara në DPT të konkluduara me dyshime për evazion fiskal/fshehje të ardhurash apo shkelje të tjera të legjislacionit tatimor. Në këtë kontekst gjatë vitit 2022, DPPPP ka dërguar 95 informacione në SHISH në lidhje me çështjet të dyshuara për aktivitet kriminal, objekt i përbashkët interesi mes dy institucioneve”, thuhet në raport.

Më tej bëhet me dije se gjatë vitit 2022, janë nxjerrë në total 3 urdhra bllokimi të përkohshëm për llogari bankare, në një vlerë totale prej rreth 2,426,882 Euro, të cilat janë sekuestruar me vendim të Prokurorisë apo Gjykatës në masën 100%.

Në të janë treguar dhe skemat që ndiqen në vendin tonë për pastrimin e parave. Skandali është se DPPPP ka zbuluar se fondet që shkojnë për bujqësinë përdoren për pastrime parash.

SKEMAT E PASTRIMIT TË PARAVE

Tipologji 1 “Dyshime lidhur me përdorimin e fondeve publike”

Shtetasi X, krijon shoqërinë e tij ‘DEF’, me objekt aktiviteti “tregtim, prodhim të produkteve të ndryshme blegtorale”. Shoqëria ‘DEF”, aplikoi më tej për financim pranë Institucionit Publik “B” për zhvillimin e aktivitetit të saj. Pas miratimit të aplikimit, bëhet e mundur kalimi i fondeve në shumën 300 000 EUR në llogari të subjektit “DEF”, pranë një banke të nivelit të dytë. Pas kreditimit të fondeve, shtetasi X (ortaku i saj), kryen kalim e pjesës më të madhe të fondeve nga llogaria e shoqërisë së tij në llogarinë personale, me qëllim final investimin në pasuri të paluajtshme. Konkretisht, shtetasi X ka nënshkruar kontratën e shitblerjes së pasurisë së paluajtshme me shoqërinë “ABC’, të shtetasit Y.

Marrë në konsideratë përdorimin e fondeve jo në përputhje me qëllimin e deklaruar, u kryen verifikime të mëtejshme nga ku rezultoi se:

-Shtetasi X, shfaqej me historik punësimi pranë shoqërisë ‘ABC’;

-Shoqëria ‘ABC’, rezultonte e themeluar nga shtetasi Y, për të cilin administroheshin të dhëna për shpërdorim të fondeve publike.

Tipologji 2- “Investime të larta në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh”

Shtetasja X, paraqitet pranë një banke të nivelit të dytë dhe deklaron se është në pritje të transfertave nga shoqëria e huaj ‘DEF”, e regjistruar në një shtet të Evropës “V”. Transfertat justifikoheshin me anë të një marrëveshje huaje, sipas së cilës shtetasja X do merrte hua shumën prej 600,000 Euro. Marrë në konsideratë vlerën e lartë të pretenduar, si dhe mungesës së justifikimit të qartë ekonomik të këtij huazimi, u kryen verifikime të mëtejshme. Nga këto verifikime, rezultoi se shtetasja X, me vendqendrim në Shqipëri nuk ishte e punësuar dhe në muajt e fundit kishte nënshkruar disa kontrata shitblerjesh të pasurisë së paluajtshme, në cilësinë e palës blerëse dhe shfaqej e përfshirë në marrëdhënie kontraktuale huaje me shtetas të ndryshëm.

Gjithashtu rezultoi se shtetasja X rezultoi të kishte lidhje familjare me shtetasit E, F, H për të cilët rezultuan të dhëna negative për përfshirje në trafikim të lëndëve narkotike, në disa shtete të Europës, përfshirë dhe në vendin e regjistrimit të shoqërisë së huaj “DEF”.

Në vijim, u kërkua dhe bashkëpunimi i homologëve në shtetin “V”, nga ku rezultuan të dhënat me dyshime edhe lidhur me profilin e shoqërisë së huaj.

Bazuar në dyshimet:

-Transfertat e larta në mbërritje nga një shoqëri me profil të dyshimtë, pa një shpjegim të qartë ekonomiko-juridik.

-Investimi në pasuri të paluajtshme nga një shtetase jo e punësuar;

-Lidhja familjare me shtetas të dyshuar për përfshirje në trafikim të lëndëve narkotike;

-Veprimet financiare me të tretë në formë huaje;

Tipologji 3- “Depozitime nga një PEP i huaj”

Shtetasja e huaj A nga një vend Europian, në vitin 2020 ka kryer depozitime në vlerën 280 000 USD në llogarinë e saj bankare pranë një banke të nivelit të dytë në vend. Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasja A, ishte PEP i huaj dhe fondet janë transportuar fizikisht duke deklaruar në hyrje të Pikës Kalimit Kufitar në Shqipëri, si fonde nga kursime familjare.

Gati një vit më pas, shtetasja A transferon shumicën e fondeve në favor të një shoqërie ndërtimi në vendin tonë, me qëllim porosinë e një pasurie të paluajtshme të llojit “vilë” në një qytet bregdetar, kundrejt një çmimi blerjeje të njëjtë me shumën e depozituar prej saj.

Nga verifikimet e mëtejshme pranë homologëve tanë, rezultoi se shtetasja A deri në muajt e parë të vitit 2021 ka ushtruar një funksion të lartë shtetëror, në vendin e saj të origjinës dhe është nën hetim për akuzat e pastrimit të parave dhe rryshfetit. Shtetasja A, e ka vizituar disa herë vendin tonë, edhe në pozicionin e funksionarit, përpara se të vendoste të investonte në pasuri të paluajtshme.

U vu re se depozitimet në vendin tonë përkojnë në vlerë dhe periudhë me fondet për të cilat shtetasja është nën akuzë nga vendi i huaj.

Bazuar në dyshimet:

-Hetimet e vendit të huaj për akuzat e pastrimit të parave dhe rryshfetit;

-Depozitime në para fizike në vlerë të konsiderueshme nga një person i ekspozuar ;

-Burimi jo bindës i fondeve të depozituara cash dhe të investuara;

Tipologji 4- “Transferta të dyshimta”

Shtetasi A së bashku me shtetasin B (lidhje familjare mes tyre) dhe shtetasin X kanë investuar në pasuri të paluajtshme në shumën prej 400,000 Euro. Gjithashtu shtetasi A në këtë periudhë rezulton se ka lidhur disa akte noteriale për shit/blerje automjetesh nën vlerën e tregut.

Përsa i përket burimit të fondeve rezulton së shtetasi A dhe B pergjatë viteve 2017-2022 kanë përfituar në llogaritë e tyre një numër të lartë transfertash nga jashtë, në total rreth 1,800,000 Euro, kryesisht me përshkrim për shërbime konsulence ku disa prej tyre janë urdhëruar nga vende “parajsa fiskale”. Lidhur me mënyrën e përdorimit të fondeve të ardhura nga jashtë vihet re se një pjesë e madhe janë tërhequr .

Nisur nga vlerat e larta të transfertave në mbërritje të pasuara me tërheqje cash u kryen verifikime të mëtejshme ku rezultoi se shtetasi A për herë të parë ka regjistruar aktivitet privat në vendin tonë në vitin 2019, me objekt aktiviteti: shërbime konsulence. Nga verifikimet e mëtejshme të kryera rezultoi se shtetasi X ka qenë me parë i dënuar për trafikim të qenieve njerëzore.

Bazuar në dyshimet:

-Investim në pasuri të paluajtshme me burim jo të qartë;

-Tërheqje cash nga llogaria bankare i shumave për të cilat nuk dihet përdorimi;

-Përfshirja e personave me precedent kriminalë;

-Qarkullimi i flukseve monetare nëpërmjet bankës përgjatë viteve 2017 – 2019 periudhë kur asnjëri nga shtetasit nuk kanë pasur aktivitet privat;

Tipologji 5- “Investime të larta në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh”

Shtetasit X dhe Y kanë në pronësi të tyre një numër të lartë pasurish të paluajtshme për të cilat nuk kemi informacion për mënyrën e fitimit të tyre dhe burimin e të ardhurave. Pas verifikimeve të kryera nisur nga anomalia e mësipërme rezultoi se shtetasit kanë pasur aktivitet të regjistruar që nga viti 2013 në fushën e shërbimeve, aktiviteti i cili ka vazhduar për 8 vjet dhe më pas është pezulluar. Fitimet e deklarura kanë qenë tepër të ulta, duke arritur vlerën maksimale 500,000 Lekë në vit, si dhe në disa raste me humbje. Duke marrë në konsideratë të ardhurat e ulta të realizuara ndër vite nga shtetasit X dhe Y dhe mungesën e informacionit për mënyrën e fitimit të pronësisë edhe mbas verifikimeve të kryera, për një numër të lartë pasurish të paluajtshme, rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.

Tipologjia 6- “Investime në pasuri të paluajtshme dhe aktivitete tregtare nga persona të përfshirë në veprimtari kriminale”

Shtetasi shqiptar X, për të cilin ka evidenca se është përfshirë në veprimtari të paligjshme si shfrytëzim prostitucioni dhe trafikim lëndësh narkotike, gjatë 5 viteve të fundit ka regjistruar disa aktivitete tregtare që operojnë në sektorë si: ndërtim, hidrokarbure, hoteleri – turizëm etj.

Nga të dhënat që disponojmë rezulton se shtetasi X për realizimin e aktivitetit kriminal, bashkëpunon më së shumti me familjarë të tij dhe lidhje të tyre shoqërore (disa prej të cilëve janë arrestuar më parë në një shtet të Amerikës Latine) dhe të ardhurat e gjeneruara nga veprimtari të paligjshme shtetasi i investon në aktivitete tregtare dhe pasuri të paluajtshme në qytete të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht ne vende bregdetare.

Nisur nga investimet e larta në pasuri të paluajtshme dhe subjeket tregtare, kemi vijuar me investigim të mëtejshëm të rastit, nga ka rezultuar se:

-Në vitin 2011 shtetasi X ka marrë hua 600,000 USD në para fizike nga një miku i tij (Y – i cili sipas burimeve të hapura përveçse është arrestuar në vitin 2010 si pjesë e një rrjeti narkotrafikantësh, akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, mashtrim etj.) me qëllim investimin në pasuri të paluajtshme.

Huaja është marrë pa interes dhe pa afat kthimi, nisur nga njohja reciproke mes palëve.

-Gjatë vitit 2021, në një hark të shkurtër kohor, shtetasi X ka blerë nga një biznesmen i huaj (Z), kuotat e dy shoqërive tregtare (A dhe B) me një çmim total prej 55,000,000 Lekë (shumë më e lartë sesa kapitali i tyre) si dhe ka marrë përsipër shlyerjen e të gjitha detyrimeve monetare në një vlerë totale të përafërt me 6,000,000 USD që këto shoqëri kanë ndaj të tretëve. Po ashtu disa javë pas blerjes së këtyre shoqërive, shtetasi X ka zmadhuar me gati 5 herë (në vlerën 50,000,000 Lekë) kapitalin e shoqërisë B, nëpërmjet kontributit në para të ortakut të vetëm të saj.

Ndërkohë nga verifikimet e kryera për subjeket e tij tregtare ka rezultuar se:

- Përgjithësisht shoqëritë tregtare të shtetasit X gjatë periudhës së operimit kanë deklaruar humbje. Edhe 2 prej tyre që kanë rezultuar me fitime në vlera të larta, nuk i kanë shpërndarë këto fitime, por i kanë ruajtur si rezervë për investime të mëvonshme.

- Shtetasi X ka deklaruar të ardhura vjetore personale prej gati 10 vitesh dhe burimet kryesore të të ardhurave të tij janë deklaruar: fitimet kapitale nga investimet në tituj dhe pasuri të paluajtshme apo nga shitja e këtyre të fundit, qiratë si dhe paga.

- Megjithatë u konkludua se rezultatet e evidentuara financiare të shtetasit X nuk i justifikojnë transaksionet dhe investimet e kryera.

Duke marrë në konsideratë:

-Regjistrimin e disa aktiviteteve tregtare nga një person i përfshirë në aktivitete të paligjshme;

-Lidhjet e identifikuara/sinjalizuara me persona të inkriminuar në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike;

-Përfshirjen e tij në transaksione huaje në vlerë të lartë nga shtetas me indicie negative në burime të hapura;

-Transaksionet në vlera të konsiderueshme, të pambështetura nga rezultatet e njohura financiare; /Pamfleti

pastrim i parave ndertim korrupsion

Lini një Përgjigje