TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Qershor 2025, 18:09

Ndodh përplasja e madhe/ Altin Dumani i heq “spaletat” Arben Krajës, e shkarkon si drejtor

Shkruar nga Elton Qyno

Ndodh përplasja e madhe/ Altin Dumani i heq “spaletat” Arben

Ajo që nuk pritej në këto ditë të nxehta qershori, në fakt ka ndodhur duke u dëgjuar si një rrufe në qiell të hapur, brenda mureve të strukturës së posaçme SPAK.

Dy njerëzit me influencën më të madhe në këtë prokurori, Altin Dumani dhe Arben Kraja, kanë pasur një konflikt mes tyre duke çuar në përplasje të menjëhershme ndaj njëri-tjetrit.

E për pasojë, kjo situatë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të titullarit të institucionit, Altin Dumanit, i cili ditën e sotme, ka vendosur të shkarkojë nga posti i Drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë, Arben Krajën.

Ende të paqarta mbeten arsyet e kësaj krisje mes dy drejtuesve, por tashmë një gjë e tillë ka ndodhur dhe Arben Kraja, nga sot nuk është në nivel drejtues në SPAK.

“...një arsye e madhe ka ndodhur, të cilën e dine vetëm ata të dy, që solli këtë situatë të papritur...”-tha një burim pranë SPAK.

Gazetari i “Ora News” Elton Qyno, ka mësuar se po ditën e sotme me firmën e kreut të SPAK, Dumani ka emëruar në vend të Arben Krajës, prokuroren Dorina Bejko.

Bejko fillimisht hyri në SPAK si prokurore e komanduar nga prokuroria e Pogradecit, e pas komandimit 4 mujor, KLP-ja e emëroi definitisht si pjesë të organikës së SPAK.

Nga sot e në vijim Bejko do mbajë postin e Drejtorit të Marrëdhënies me Jashtë në SPAK, ndërsa mësohet se paralelisht me këtë detyrë do përfaqësojë dhe akuzën në dosjet e saj që ka çuar për gjykim.

Heqja e menjëhershme e “spaletave” të drejtorit, ka bërë që Dumani të çojë Arben Krajën, si prokuror të thjeshtë në sektorin e krimit-ekonomik në SPAK.

Nga sot, Kraja, do vijojë punën si prokuror i thjeshtë në këtë sektor, ndërsa u fut menjëherë në listë për të marrë çështje të reja përmes shortit elektronik.

Një përplasje e tillë ishte e pa parashikueshme në këtë kohë, për shkak se Dumani dhe Kraja, ishin dy prokurorët më me influencë në këtë strukturë.

Aq më tepër që konflikti nga erdhi më pas ulja në detyrë e Krajës, vjen në një kohë kur SPAK, ka hyrë në ethet e zgjedhjes së kreut të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Por njëherësh “sheri” ndodhi, kur vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, është në metrat e fundit të finishit të mandatit të tij si Drejtues i Strukturës së Posaçme SPAK. Pasi në datën 19 dhjetor 2025, Altin Dumanit, i përfundon periudha 3 vjeçare e drejtimit të SPAK dhe një staturë e re prokurori do ti duhet t’ia zerë vendin.

Prej dy vite e gjysmë, Arben Kraja, drejtonte Zyrën e Marrëdhënies me Jashtë në SPAK, duke mbajtur kontakte të drejtpërdrejta me zyrat analoge në shumë vende të botës, përfshirë Zyrën e Ekstradimeve në Dubai dhe “Eurojust”, prej nga vijnë kodet e përdoruesve të aplikacionit “Sky”, me të cilin SPAK ka organizuar disa operacione kundër krimit të organizuar.

Kohët e fundit Kraja, u pa në publik përkrah Altin Dumanit dhe homologëve italianë e Finlandezë, gjatë dy daljeve konferenciale në media.

Atë të arrestimit të anëtarëve të grupit “Troplini” në Durrës dhe një grupi tjetër Shqiptarësh, që kishin bërë trafik droge nga Spanja dhe Holanda deri në Finlandë.

Por tashmë emri i tij në zinxhirin drejtues të SPAK, është retushuar, duke e lënë si prokuror të thjeshtë. Prokurori Arben Kraja, është Drejtuesi i Parë i SPAK, që mori detyrën 3 vjeçare qysh në dhjetor 2019 deri në dhjetor të vitit 2022.

Kraja ka një meritë të padiskutueshme në organizimin dhe funksionimin e institucionit të SPAK, pasi fillimisht ky organ hetimor ka nisur punën me 8 prokurorë dhe me një administratë që thuajse nuk ekzistonte.

Në 3 vitet e drejtimit të SPAK nga Arben Kraja, u desh një formatim i plotë dhe transformim i ambienteve të brendshme, ku aktualisht SPAK dhe BKH-ja ushtrojnë detyrat funksionale të tyre.

I sulmuar shpesh herë nga subjektet politike për shkak të kaluarës së tij me hetuesinë e komunizmit, Kraja mundi të mbarojë mandatin 3 vjeçar si Drejtues i SPAK në dhjetor të vitit 2022.

Me ardhjen në krye të SPAK të Altin Dumanit, ky i fundit në Janar 2023 vendosi të largojë Ened Nakuqin nga Zyra e Marrëdhënieve me Jashtë dhe në vend të tij, të vendosi si Drejtor, Arben Krajën.

Por tashmë pas 2 vite e gjysmë, për shkak të konfliktit të lindur me Altin Dumani, ish-drejtuesi i parë i këtij institucioni është ulur në detyrë, duke u larguar nga kjo drejtori.

Ende mbeten të paqarta arsyet e vërteta të krijimit të kësaj “çarje” mes dy miqësive brenda SPAK, Altin Dumanit dhe Arben Krajës. /Ora News

Lini një Përgjigje