TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Qershor 2025, 17:59

Kampi i Gjadrit, ngrihet Task Force për monitorimin e marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët

Shkruar nga Pamfleti

Kampi i Gjadrit, ngrihet Task Force për monitorimin e marrëveshjes

Qeveria shqiptare ka miratuar ngritjen e një Task Force, e cila do të monitorojë zbatimin e marrëveshjes me Italinë lidhur me migracionin. Bëhet fjalë për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve bazuar në marrëveshjen Rama-Meloni, në bazë të së cilës, pala italiane akomodon në qendrat e emigrantëve në Gjadër, ata që do të riatdhesohen në vendet e tyre, pasi kanë humbur të drejtën e azilit.

Task Force do të drejtohet nga zv.ministri i Brendshëm, dhe pjesë e saj do të jenë zv.ministrat e të paktën 5 Ministrive, por do të ketë edhe përfaqësues nga Shtabi i Përgjithshëm i FA-ve dhe Policia e Shtetit.

Vendimi i plotë

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.20/2024, “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

Vendoni:

1. Ngritjen e Task-Forcës për zbatimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, si dhe të marrëveshjes zbatuese të tij.

2. Task-Forca ka për qëllim koordinimin, ndjekjen dhe mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes, në përputhje me fushën e përgjegjësisë së institucioneve të përfshira.

3. Task-Forca kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm, përgjegjës për çështjet e migracionit, dhe ka në përbërje këta anëtarë:

– Zëvendësministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;

– Zëvendësministrin e Mbrojtjes;

– Zëvendësministrin e Financave;

– Zëvendësministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;

– Zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë;

– Drejtorin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;

– Drejtorin e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit;

– Drejtorin e Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit;

– Drejtorin e Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

4. Task-Forca ka si detyrë:

a) të hartojë planin e veprimit, sipas fushave të përgjegjësive të institucioneve të përfshira, si një dokument i vetëm i miratuar;

b) të evidentojë strukturat, përgjegjësitë dhe detyrimet, në rast të situatave të paparashikuara që lindin gjatë zbatimit të protokollit dhe të marrëveshjes zbatuese të tij;

c) të garantojë mbështetjen e strukturave të angazhuara me burimet e nevojshme për përmbushjen e përgjegjësive të tyre, në zbatim të protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, si dhe të marrëveshjes zbatuese të tij;

ç) të trajtojë kërkesat dhe çështjet e përcjella nga Ambasada e Republikës së Italisë në Tiranë nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, që lidhen me zbatimin e protokollit dhe të marrëveshjes zbatuese, si dhe merr vendime, të cilat i përcillen për zbatim strukturave përkatëse, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë.

5. Task-Forca mblidhet me kërkesë të kryetarit dhe të çdo anëtari të saj, në varësi të çështjes që shtrohet për diskutim, sipas një kalendari takimesh ose sa herë vlerësohet e nevojshme.

6. Task-Forca, kur e vlerëson të nevojshme, fton në mbledhjet e saj ekspertë të jashtëm ose përfaqësues nga organizata, që mbulojnë fushën e institucioneve të përfshira, për çështje që janë jashtë profilit të saj dhe opinioni i tyre bëhet pjesë e vendimmarrjes.

7. Anëtarët e Task-Forcës njoftojnë kryetarin për çdo problematikë dhe vendimmarrje, sipas fushës së përgjegjësisë.

8. Kryetari i Task-Forcës raporton çdo muaj pranë ministrit të Brendshëm për zbatimin e këtij vendimi.

9. Task-Forca mbështetet nga sekretariati teknik, i përbërë nga përfaqësues të nivelit të mesëm drejtues dhe/ose të lartë drejtues, i cili ka në përbërje:

a) përfaqësues të Drejtorisë së Politikave të Migracionit, Azilit dhe Antitrafikut, në Ministrinë e Brendshme;

b) përfaqësues të strukturës për rendin dhe sigurinë publike, në Ministrinë e Brendshme;

c) përfaqësues nga Drejtoria Konsullore, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme;

ç) përfaqësues nga Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

10. Detyrat e sekretariatit teknik janë:

a) organizimi i mbledhjeve të Task-Forcës, në përputhje me procedurat ligjore të njoftimit për mbledhjet e komisioneve të posaçme;

b) përgatitja e relacionit për çështjet në diskutim, si pjesë e dokumentacionit që do të diskutohet, dhe koordinimi me institucionet e përfshira në këtë Task-Forcë;

c) administrimi i dokumenteve të ardhura nga pala italiane dhe paraqitja e tyre Task-Forcës për shqyrtim dhe koordinim të veprimeve të mëtejshme, sipas udhëzimeve të saj;

ç) mbledhja e të dhënave dhe informacionit të ardhur nga anëtarët;

d) shkëmbimi i informacionit dhe materialeve të mbledhjes midis anëtarëve;

dh) hartimi i materialeve për kryetarin e Task-Forcës;

e) mbajtja dhe administrimi i procesverbalit të mbledhjes.

11. Task-Forca është funksionale deri në përfundimin e zbatimit të protokollit.

12. Ngarkohen titullarët e institucioneve, të përmendura në pikën 3, të këtij vendimi, që brenda 10 (dhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij, të caktojnë dhe të dërgojnë pranë Ministrisë së Brendshme emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë Task-Forcë, si dhe në sekretariatin teknik mbështetës, sipas shkronjave “c” e “ç”, të pikës 9.

13. Ngarkohet Task-Forca për zbatimin e këtij vendimi.

Lini një Përgjigje