
Banorët e tre fshatrave në Pukë, Kalivares, Mesulit dhe Kimzës kanë protestuar ditën e sotme kundër lejeve të dhëna për ndërtimin e katër HEC-eve në zonën e Kalivares në Pukë.
Me pankarta “Hiqni Dorë nga HEC-i se do të ketë pasoja materiale dhe njerëzore”, banorët kërkojnë moszbatimin e këtyre investimeve te cilat dëmtojnë burimet ujore dhe ekosistemin e kësaj zone me potencial turistik.
Banorët akuzojnë institucionin për falsifikim të firmave, duke paralajmëruar kallëzim penal në Prokurori për personat përgjegjës, ndërsa janë të vendosur në betejën e tyre për mbrojtjen e burimeve ujore të zonës.
Banorët e fshatrave Kalivare, Mesul dhe Kimzë kane përgatitur edhe një peticion i cili do ju dërgohet institucioneve qendrore, ku kërkohet anulimi i lejeve për ndërtimin e HEC-ve, e po ashtu çështja do të ndiqet ligjërisht dhe në gjykatë. Lejet për ndërtimin e HEC-eve në Kalivare të Pukës janë dhënë gjatë muajve të fundit dhe projekti do të zbatohet nga kompania Be-is SHPK, por puna në terren nuk ka nisur ende.
Lini një Përgjigje