TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Nëntor 2025, 14:43

Ndarja nga jeta e Imzot Simon Kullit, Dom Gjergj Meta mesazh ngushëllimi: Lajm që na i pikëlloi zemrat

Shkruar nga Pamfleti

Ndarja nga jeta e Imzot Simon Kullit, Dom Gjergj Meta mesazh ngushëllimi:

Dom Gjergj Meta ka reaguar për largimin e parakohshëm nga jeta të Ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli.

Dom Gjergj Meta tha se, humbja e tij është një lajm pikëllues, teksa e cilësoi imzot Simonin si një njeri shumë të dashur, të qetë, të matur, të butë dhe të urtë.

Ai shkruan se deri në ditën e fundit të jetës së tij imzot Simoni e ka kaluar në dioqezën e Rrëshenit me meshtarë e rregulltare të dioqezave të ndryshme të Shqipërisë, si dhe të rinj e të reja po nga gjithë Shqipëria, i qeshur dhe i dashur me ta.

Reagimi i plotë i Imzot Gjergj Metës:

NA BUZËQESH PREJ PARRIZIT, IMZOT SIMON...

Sot herët në mëngjes, imzot Simon Kulli, ipeshkëv i dioqezës së Sapës dhe zëvendëspresident i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, ka kaluar në amshim, krejt papritur e pa rend, në moshën 52-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Një goditje që na goditi të gjithëve sot dhe na i pikëlloi zemrat.

Të gjithë ata që kanë pasur fatin ta njihnin imzot Simonin e mirë, e dinë sa i dashur ka qenë ai, sa i qetë, sa i matur, sa i butë, sa i urtë. Aq sa të paqtonte vetëm me praninë e tij, ashtu në heshtje, pa shumë fjalë, por me sytë që i qeshnin bashkë me buzët.

Imzot Simoni ka qenë një meshtar e mandej një ipeshkëv i gatshëm e i gjendshëm përherë, për gjithkënd dhe kishte gjithnjë dëshirën e madhe që të gjente rrugëdalje për çdo problem të mundshëm, për çka edhe mundohej e angazhohej me shpirt. Dashuria, afërsia, respekti e nderimi që kishin e kanë besimtarët e tij për të, është dëshmia më e mirë e të qenit e tij një bari i mrekullueshëm, që e njihte në thellësi grigjën e vet, atë që Zoti ia kishte besuar përkujdesit të tij dhe që Ai nuk e lëshoi asnjëherë, deri në çastet e tij të mbrame.

Çdonjëri nga ne e ka njohur dobësinë e tij për të varfrit, të sëmurët e personat me aftësi ndryshe të dioqezës së Sapës, ndaj të cilëve ishte përherë i afërt e i kujdesshëm. Shërbimi i tij me përvujtni ndaj tyre e bënte ndryshe dhe krejt të veçantë imzot Simonin, e shquante, e diferenconte. Prandaj edhe kemi zgjedhur këtë foto shoqëruese për këto fjalë, që do donim shumë të mos i shkruanim kurrsesi. Por na duhet ta bëjmë dhe po e ruajmë të qeshur, imzot Simonin, të gëzuar, në qendër të asaj që e personifikonte dhe krah ipeshkvit tonë, me të cilin eci përnjimend deri në fund...

Ditën e fundit të jetës së tij, sa e trishtë që kjo ditë ishte jo më larg se dje, imzot Simoni e ka kaluar në dioqezën tonë të Rrëshenit, pikërisht në Rrëshen, me bashkëvëllanë e tij, ipeshkvin tonë, imzot Gjergj Metën, me meshtarë e rregulltare të dioqezave të ndryshme të Shqipërisë, si dhe me të rinj e të reja po nga gjithë Shqipëria, ashtu i qeshur e mik i dashur midis tyre, duke u bërë njësh me ta.

Imzot Gjergjin në veçanti, por edhe ne të gjithëve, na ka prekur e shenjuar kjo rastësi e dhembshme. Dje, imzot Simoni ka shëtitur nëpër rrugët e Rrëshenit krah për krah me imzot Gjergjin; kanë biseduar bashkë; kanë pirë kafen; kanë bashkëkremtuar Meshën e Shenjtë në kuadër të organizimit për të cilin edhe ishin mbledhur; kanë qëndruar bashkë. Imzot Simoni ia ka dhuruar miqësisë ditën e tij të fundit, asaj më të ngushtës: me Krishtin, prej së cilës burojnë edhe të gjitha miqësitë e marrëdhëniet e tjera njerëzore.

Mendojmë se e kujtoni që Papa Françesku i ka emëruar imzot Simonin e imzot Gjergjin si ipeshkvij të dioqezave përkatëse, në të njëjtën ditë. E imzot Simoni ia mbajti dorën ipeshkvit tonë deri në fund, duke mos u larguar prej kësaj jete pa ia lënë atij e ne, kujtimin e vet të gjallë nëpër qytet; pa na e lënë bekimin e tij, sepse megjithëmend e besojmë se ka ardhur e na ka ka bekuar.

Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjen e imzot Simonit, për familjen e tij dioqezane të Sapës, si dhe për të gjithë ata që e kanë dashur e i ka dashur. Zoti e pranoftë në Mbretninë e Tij, imzot Simonin, për të cilën ka punuar sipas porosive e mësimeve të Tij dhe na ndihmoftë ne të gjithëve që të gjejmë ngushëllim për humbjen e njeriut tonë të shtrenjtë!

Ju kërkojmë sa më shumë lutje për shpirtin e tij, të dashur miq.

Lini një Përgjigje