
Tirana kthehet për 48 orë në një zonë të mbrojtur ndërkombëtare, ndërsa Konferenca e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike zhvillohet në Pallatin e Kongreseve nga data 8 deri më 10 tetor. Policia e Tiranës ka shpallur një plan të posaçëm masash sigurie, që përfshin bllokim të bulevardit kryesor dhe ndalim qarkullimi për qytetarët dhe automjetet në zonën përreth.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, që prej orës 07:00 të datës 9 tetor deri në 15:00 të datës 10 tetor, do të ketë kufizime totale në segmentin nga semafori pranë Presidencës deri te sheshi “Nënë Tereza”, përfshirë edhe rrugën “Gjergj Filipi” dhe aksin që lidh hotelin “Marriott” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Për këmbësorët, trotuari nga hyrja e hotel “Rogner” deri te Pallati i Kongreseve do të mbetet i bllokuar gjatë gjithë zhvillimit të aktivitetit.
Këto masa, të cilat vijnë në funksion të garantimit të sigurisë publike dhe mbarëvajtjes së aktivitetit, do të shoqërohen me prezencë të shtuar të forcave të rendit në terren dhe kontroll rigoroz në zonat përreth. Policia iu bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë sinjalistikën dhe të bashkëpunojnë me punonjësit e policisë.
Konferenca e NATO-s vjen në një moment kur mbrojtja kibernetike është kthyer në një temë kyçe për sigurinë globale, me përfaqësues nga vende të ndryshme që pritet të marrin pjesë në këtë forum.
Lini një Përgjigje