
Reshjet e shumta të dëborës që kanë përfshirë vendin kanë shkaktuar disa probleme.
Në juglindjen e Shqipërisë kanë krijuar një situatë të vështirë, duke shkaktuar bllokime të rrugëve dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa zona.
Trashësia e dëborës ka arritur deri në 30 cm në lartësitë mbi 800 metra, duke krijuar probleme serioze për qarkullimin e mjeteve.
Një nga zonat më të prekura ka qenë Korça, ku në aksin rrugor Boboshticë - Dardhë trashësia e dëborës ka arritur deri në 30 cm, veçanërisht në majën e Bigllës.
Autoritetet rrugore kanë reaguar menjëherë për të mbajtur akset të hapura, duke dërguar më shumë se 15 mjete borëpastruese, të cilat kanë punuar gjatë natës për të siguruar kalueshmërinë e rrugëve Korçë - Dardhë, Korçë - Voskopojë, Kamenicë - Ersekë dhe Zëmblak - Dogana e Goricës së Madhe.
Sakaq, aksi nga Maja e Qafë Qarrit deri në hyrje të Ersekës është bllokuar nga bora, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për qarkullimin. Për këtë arsye, autoritetet rrugore kanë kërkuar që drejtuesit e mjeteve të përdorin rrugën e vjetër, e cila është e kalueshme pa probleme.
Reshjet e dëborës kanë shkaktuar dëme edhe në rrjetin elektrik, duke ndërprerë furnizimin me energji në disa fshatra të njësive administrative Vithkuq dhe Lekas në bashkinë e Korçës, si dhe në Leskovik, në bashkinë e Kolonjës.
Pas këtyre dëmeve, grupet e OSHEE-së janë angazhuar në terren për të riparuar rrjetin dhe për të rikthyer energjinë elektrike në zonat e prekura.
Probleme ka pasur edhe në pjesën veriore të Shqipërisë.
Në qarkun e Kukësit, konkretisht në Shishtavec trashësia e borës shkon deri në 50 cm.
Si pasojë e këtyre kushteve të motit të gjitha akset nacionale rrugore vazhdojnë të jenë nën trysninë e rënies së gurëve, inerteve dhe ngricave duke krijuar vështirësi në qarkullimin normal të mjeteve në disa segmente rrugore.
Aktualisht të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht.
Disa zona kanë probleme me furnizimin me energji elektrike, si Njësia Administrative Tropojë, Fshatrat Zogaj, Kepeneg, Bytyq, Bashkia Tropojë, Golaj, Bashkia Has, Bushtricë, Grykë-Çajë, fshatrat Gdheshtë e Pistë, Adm Malzi, Bashkia Kukës.
Reshje të dendura dëbore u regjistruan mbrëmjen e djeshme edhe në Dibër. Në Qafën e Murrizit, në aksin Peshkopi-Kukës në Kalanë e Dodës trashësia e borës i kalon 20 centimetra.
Raportohet se në Rrugën e Kombit dhe Qafë Mali- Fierzë që nga mëngjesi i djeshëm kanë filluar reshjet e dëborës, por nuk paraqiten probleme për qarkullimin.
Në bashkinë Fushë Arrëz, vijojnë reshjet e dëborës, momentalisht trashësia e dëborës arrin rreth 6-8 cm. Rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vijon pa probleme.
Lini një Përgjigje