TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Nëntor 2024, 20:40

Melonit i “ngec sharra në gozhdë”, dy gjykata injorojnë dekretin për refugjatët; sërish në pikëpyetje operacioni “Albania”

Shkruar nga Pamfleti

Melonit i “ngec sharra në gozhdë”, dy gjykata

Nuk ndalen pengesat për zbatimin e paktit Rama-Meloni...

Vihet sërish në pikëpyetje operacioni i Italisë për të dërguar në Shqipëri emigrantët. Ndonëse kryeministrja Giorgia Meloni hartoi një dekret, përmes të cilit zgjeroi listën e shteteve të sigurta, ai nuk është marrë për bazë nga dy gjykata në Itali.

Një gjyqtar në Katania teksa ka vlerësuar legjitimitetin e ndalimit të një të mituri egjiptian, ka shkruar në vendim se Egjipti nuk mund të konsiderohej një vend i sigurt, ndryshe nga siç listohej nga vendimmarrja e ekzekutivit italian.

Gjyqtari thotë se dekreti i qeverisë Meloni nuk mund ta privojë gjyqtarin të marrë një vendim të tillë, të garantuar nga gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian.

Duke argumentuar se pse Egjipti sipas tij nuk mund të jetë vend i sigurt, Gjyqtari Escher thotë se është një nga vendet ku zbatohet dënimi me vdekje dhe numri i ekzekutimeve është ndër më të lartat në botë. Gjithashtu ka shkelje të lirisë së fesë dhe të drejtave civile, dhunë dhe diskriminim ndaj grave dhe të miturve, raporton "Corriere Della Sera".

sipas tij, në të gjithë vendin ka pasur edhe raste të ndalimeve arbitrare dhe arrestimet pa urdhër nga forcat e policisë.

Ndërkohë që edhe një Gjykatë në Romë, teksa shqyrtonte çështjen e një prej 12 personave që më herët u transferuan në Gjadër, e ka dërguar dekretin për vlerësim në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, siç më parë kishte vendosur një gjyqtar në Bolonja.

Këto vendime të gjykatave e vënë sërish në dyshim në Itali zbatimin e marrëveshjes së emigrantëve me Shqipërinë, teksa dy ditë më parë u vendos që së shpejti të mbërrijnë në Gjadër emigrantë të tjerë dhe anija “Libra” ka rinisur operacionet 20 milje larg Lampedusa për të mirëpritur refugjatët e shpëtuar në ujërat e Mesdheut.

Lini një Përgjigje