TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë29 Mars 2024, 11:48

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, nis ndërtimi i kampit në Gjadër të Lezhës; mur rrethues 7 metra i lartë

Shkruar nga Pamfleti
Marrëveshja me Italinë për emigrantët, nis ndërtimi i
Nis ndërtimi i kampit në Gjadër të Lezhës

Në Gjadër të Lezhës kanë nisur punimet për ndërtimin e kampit të refugjatëve.

Qendrat e pritjes së emigrantëve në Gjadër të Lezhës duhet të jenë gati më 20 maj, kohë kur pritet që të mbërrijnë edhe emigrantët e parë të kapur në det nga autoritetet italiane.

Refugjatët do të priten në një strukturë që do të ngrihet në Portin e Shëngjinit dhe nga aty do të transportohen me autobusë rreth 35 km në Gjadër, ku do të qendrojnë pa fat deri në shqyrtimin e kërkesave për azil.

“Zbarkimi i tyre do të bëhet në Shëngjin. Në hyrjen e fshatit Gjadër tashmë ka nisur ndërtimi i kampit, por dhe ndërtime të tjera që do të kryhen edhe për sigurimin e ujit të pijshëm,por edhe të elementëve të tjerë për ta bërë funksionale.

Fillimisht do të ngrihet një mur rrethues 7 metra i lartë, kjo për të penguar daljen e mundshme të emigrantëve nëse do të ketë tentativa të tilla.

Më 6 nëntor kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane, Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj.

Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori. Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci. Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare. Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët.

Kohëzgjatja e marrëveshjes do të jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vite të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll.

Më 21 nëntor, Dhoma e Përfaqësuesve në Parlamentin Italian miratoi me 189 vota pro dhe 126 kundër rezolutën e mazhorancës italiane, pavarësisht kritikave të opozitës.

marrëveshja me italinë për emigrantët

Lini një Përgjigje