
Disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe kreu i Gjykatës së Lartë takime në SHBA...
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se janë vënë në lëvizje pas tentativave të politikës për të ndërhyrë te Gjykata Kushtetuese.
Prej javësh, kjo gjykatë është bërë objekt debati. Elsa Toska u dorëhoq në mënyrë të mistershme dhe PS ka nisur manovrat për të emëruar aty një besnik të saj. Ndërkohë ka pasur përplasje të forta lidhur me mandatin e Holta Zaçajt.
Kjo e fundit është përballur me sulme të forta nga njerëz pranë qeverisë, pasi tentoi të shtynte mandatin deri në dhjetor. Zaçaj u përplas me Gjykatën e Lartë lidhur me afatet, pasi Gjykata e Lartë pretendon se asaj i mbaron mandati më 10 mars 2025.
Por sot ka patur një zhvillim shumë interesant. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe krerët e Gjykatës së Lartë janë thirrur në Uashington. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Gjykata Kushtetuese, teksa ka pasur një takim edhe me ish-ambasadoren Yuri Kim, e cila sot ka post të lartë në DASH.
“Në datën 28 mars 2024, në kuadër të një vizite të përbashkët zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të cilën marrin pjesë Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Ilir Panda, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, znj. Elsa Toska, znj. Sonila Bejtja, z. Sandër Beci, z. Ilir Toska dhe z. Genti Ibrahimi, si dhe znj. Vilma Premti, drejtore e Kabinetit të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, janë zhvilluar takime zyrtare me përfaqësues të lartë të institucioneve të drejtësisë në Washington D.C., në të cilat ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në SHBA, z. Ervin Bushati”, njoftoi Gjykata Kushtetuese.
Më tej thuhet se delegacioni shqiptar pati takime me Zëvendësndihmësin e Prokurorit të Përgjithshëm, Bruce Sëartz dhe Zëvendësndihmësen Kryesore të Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, zonjën Yuri Kim.
“Në fokus të takimeve ishte ecuria e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe rëndësia që mbart realizimi me sukses i saj për krijimin e një sistemi gjyqësor eficient dhe të pavarur, me qëllim rritjen e besimit të publikut në dhënien e drejtësisë, si dhe ecjen përpara në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë takimeve, Kryetarja Zaçaj, pasi shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u ndal edhe te sfidat me të cilat është përballur Gjykata Kushtetuese që pas rikompozimit të plotë të saj dhe rezultatet pozitive që janë shënuar jo vetëm në drejtim të përmirësimit të cilësisë së vendimmarrjes, rritjes së efikasitetit dhe transparencës, por edhe në promovimin dhe njohjen e kësaj Gjykate në arenën ndërkombëtare”, njofton Kushtetuesja.
Zyrtarët e lartë të Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit të Shtetit shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e ofruar nga shteti amerikan për implementimin me sukses të reformës në drejtësi dhe rritjen e besueshmërisë te gjyqësori shqiptar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje