
Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Jonila Godole është shprehur kundër ndryshimeve statutore të miratuara sot në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ajo tha se ndryshime të tilla e bëjnë PD-në të jetë larg standardeve demokratike, duke e rikthyer dhe një herë partinë në ‘vegël’ të kryetarit.
“Kuvendi i sotëm i PD-së? I gjithë procesi i komanduar me urdhër nga lart, pa diskutime konstruktive, dhe me ndryshime statutore të atilla që e bëjnë PD-në e Bashës përsëri PD-në e Njëshit, siç ka qenë para tij, larg standarteve demokratike për një alternativë ndryshe”, shkroi ajo në Facebook.
Kujtojmë që ditën e sotme në Kuvendin Kombëtarë të PD-së u bënë disa ndryshime statutore, në të cilat thuhet se Basha do të jetë vetë kryetar grupi. Aktualisht këtë pozicione ka Bardhi, por ai duket se do të spostohet. Zhvillim tjetër i fortë ishte ndryshimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
Duke qenë se Basha nuk e ka pasur pas vetes shumicën e këshillit, sot është vendosur që të largohen gjithë kritikët. Këshilli Kombëtar është organi që mundëson marrjen e të gjitha vendimeve dhe duke vendosur aty besnikët e tij, Basha ka dorë të lirë të marrë të gjitha vendimet e mundshme.
Një element tjetër është se në Statut nuk ka asnjë përcaktim mbi përgjegjësinë e kryetarit në rast se humbet zgjedhjet. Teksa deri më tani ishte që ai votëbesohej duke shkuar në zgjedhje, tani është hequr si përcaktim dhe kryetari nuk do të mbajë asnjë përgjegjësi.
Lini një Përgjigje