
Gjykata Kushtetuese ka legjitimuar hartën e re gjyqësore. Kjo gjykatë ka rrëzuar padinë e bërë nga Dhoma e Avokatisë, e cila kundërshtonte hartën e re.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të shkrijë të gjitha Gjykatat e Apelit në vend dhe u krijua Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm e Apelit me seli në Tiranë. Për avokatët kjo është antiligjore, pasi një qytetar duhet të udhëtojë nga qytetet ku jeton drejt Tiranës për një proces gjyqësor. Por KLGJ e argumenton hartën se kjo bëhet për tu dhënë fund zvarritjeve.
"Gjykata, në këndvështrim të përmbajtjes së neneve 42 dhe 17 e Kushtetutës, vlerësoi se duke marrë në konsideratë balancën e pasojave, kjo e drejtë nuk u vërtetua se është cenuar në atë nivel që pasojat negative të jenë më të rënda se sa e drejta për eficence, efikasitet dhe cilësi në dhënien e shërbimit te drejtësisë. Pra, kjo ndërhyrje nuk cenon parimin e proporcionalitetit. Ne vlerësimin e Gjykatës, kur krahasohen këto pasoja, është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se individët kanë mundësinë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese për akses në gjykatë, pavarësisht pasojave negative që u vijnë përmes riorganizimit gjyqësor, të cilat në thelb nuk e bëjnë të pamundur ushtrimin e kësaj të drejte", thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Për komunitetin e avokatëve që vitin e kaluar protestuan dhe bojkotuan gjyqet në rang vendi, shkrirja e gjykatave të apelit duke lënë vetëm në Tiranë dhe eliminimi i gjykatave administrative në dy, një në kryeqytet dhe një në Lushnjë, ka shkelur parimet kushtetuese dhe interesin e qytetarëve.
E njëjta gjë vërehet në padi edhe për reduktimin e 22 gjykatave të shkallës së parë në 13 të tilla. Por ky proces që starton në tetor, e gjen qytetarin jo vetëm larg gjykatave, por edhe përballë stokut. Me “back log” në rritje në krye të listës qëndrojnë gjykatat e shkallës së parë, stoku i të cilave ka shkuar 40 mijë e 866. Pas tyre, me një problem të pazgjidhur “back log-u” vazhdon gjykata e lartë me 31 mijë dosje.
Me një parashikim hipotetik të KLGJ nëse do të ishin në detyrë 19 gjyqtarë, e nëse ata do të evadonin 864 çështje secili, stoku aktual do të përfundonte në vitin 2026. Por kjo mbetet një ëndërr e vështirë për t’u besuar.
Kriza në gjykatën e apelit të juridiksionit të përgjithshëm që është një në të gjithë Shqipërinë ka rritur stokun në 28 mijë çështje, kurse në apelin administrativ presin gjykimin 21.116 çështje.
Me një mesatare prej 5 vitesh në pritje, në Gjykatën e Apelit Administrative i kanë sytë nga drejtësia edhe ata qytetarë që kanë hapur padi pensioni dhe padi marrëdhënie punë. Përkundër arsyeve pse u hap kjo gjykatë, për të dhënë vendime brenda 90 ditësh, qytetarëve u janë shkelur të gjitha afatet. Kjo gjykatë vuan mungesën e gjyqtarëve e njëherazi por përballet me një fluks padish për përshpejtim gjykimi për shkaqe shëndetësore.
Në Shqipëri krahasuar me normat europiane po gjykohet me një numër të pamjaftueshëm gjyqtarësh, me probleme të trashëguara e të tjera të hapura rishtazi sikurse janë edhe harta gjyqësore, e cila ndonëse ka nisur nga implementimi i mungojnë ambientet për 5 gjykata.
Lini një Përgjigje