Mister si dolën lëndët helmuese nga porti, prokuroria hetime në Elbasan dhe Durrës....
Një skandal i përmasave të mëdha ka shpërthyer ditët e fundit, pasi një anije u ndalua në Tajlandë me lëndë të rrezikshme të nisura nga Shqipëria. Po ashtu u zbulua se ngarkesa të ngjashme kishin shkuar në Kinë. Qeveria heshti prej disa ditësh dhe vetëm dje u kujtua të reagojë, por duket se të gjitha institucionet ja faturojnë njëra-tjetrës skandalin.
Mirela Kumbaro tha dje se lëndët e rrezikshme të kapura në Tajvan i përkasin Metalurgjikut të Elbasanit. Sipas saj, ato janë ngarkuar në anije dhe janë transportuar në mënyrë klandestine. “Vëllimet e mallrave të cilat dyshohet se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit Metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës”, thuhej në reagimin e Ministrisë së Mjedisit.
Por sot ka reaguar kompania 'Kurum', duke dashur të lajë duart dhe të heqë përgjegjësinë nga vetja. Turqit pretendojnë se nuk kanë dërguar mbetje të rrezikshme në asnjë vend. “Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga "Kurum International". Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm pranë institucioneve përkatëse, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe porteve shqiptare. "Kurum International", bazuar në lejen mjedisore që zotëron, respekton të gjitha rregullat dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe Konventën e Bazelit, për trajtimin e mbetjeve industriale të rrezikshme dhe të parrezikshme që gjenerohen gjatë procesit të prodhimit, objekt i punës së kompanisë”, shprehet Kurum.
Por ata dalin blof, pasi në kotejnerë kishte pluhur të dalë ng furrat e metalit. Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.
Një reagim sot pati dhe nga Dogana e Shqipërisë, e cila reagoi mbi zërat se janë dërguar mbetje në Kinë, por nuk tha asnjë fjalë për ato të Tajlandës. Dogana po ashtu lau duart, duke thënë se mbetjet janë nga Kosova dhe jo nga Shqipëria. Sipas saj, porti ka shërbyer tranzit.
“Rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë/Kosovë; Firma pritëse/importuese është ACHRO AG me bazë në Steinhausen Switzerland. Firma zvicerane ACHRO AG është urdhëruese sipas BILL OF LOADING (B/L) e kompanisë detare MAERSK për transportin e këtij produkti (LOW GRADE ZINC CONCENTRATE) me destinacion firmën pritëse GUANGXI LOGISTICS INDUSTRY INTERNATIONAL TRADE CO. LTD, NANNING, China”, shprehet Dogana.
Ndërkohë, prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për të hedhur më shumë dritë. Hetimet janë shtrirë në dy qytete; Elbasan dhe Durrës. Mbetet enigmë dinamika dhe itinerari se si janë transportuar këto ngarkesa të mëdha drejt portit dhe se si janë lejuar të ngarkohen në anije.
Fillimisht ka qenë Policia e Durrësit që ka kryer procedurat paraprake të verifikimit dhe procedimit penal, duke ia kaluar më tej dosjen Prokurorisë së Rrethit. Policia konfirmon kryerjen e procedurave, teksa e dyshuar për transportin e mbetjeve si nënkontraktor është kompania “Sokolaj”. Nën hetim dhe verifikim mësohet se janë për veprën penale “shpërdorim detyre”, zyrtarë të Portit të Durrësit, të cilët dyshohet se kanë lejuar eksportin në kundërshtim me ligjin e mbetjeve drejt Tajlandës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje