
Zbulohet prokurori që dyshohet se ka kërcënuar gjyqtaren Arnisa Këlliçi. Kjo e fundit u mor në mbrojtje nga KLGJ, pasi deklaroi se kishte marrë një letër kërcënuese.
Por sot është publikuar një shkresë, ku bëhet me dije se gjyqtarja ka bërë një kallëzim penal ndaj Ardian Dyrmishi. Në shkresën e publikuar, gjyqtarja thotë se është kërcënuar në mënyrë indirekte nga prokurori.
“Unë gjyqtare Arnisa Këlliçi, kam depozituar kallëzim në lidhje me dy kërcënime të kryera kundrejt meje.
Sot më datë 26.01.2024, në deklarimet e dhëna përpara jush si Prokurore dhe OPGJ-së, kam bërë me dije se dyshoj që njëri prej kërcënimeve ka ardhur indirekt (nëpërmjet Kancelarit të Gjykatës) nga Prokurori Adriano Dyrmishi, i cili ushtron detyrën pranë Prokurorisë suaj.
Po ashtu, pas identifikimit nga hetimet e deritanishme të datës se kur letra kërcënuese e ardhur kundrejt meje është përcjellë në zyrën time, kam bërë me dije se Prokurori ka qenë pikërisht në atë datë në zyrën time.
Duke pasur parasysh këtë fakt, si dhe kushtet kur jam gjyqtare e po së njëjtës Gjykatë, në bazë të neneve 78 e 84 të Kodit të Procedurës Penale, kërkoj deklarimin e mungesës së kompetencës së Prokurorisë suaj dhe dërgimin e akteve një Prokurorie të ndryshme më të afërt.
Me vlerësim për punën tuaj të deritanishme dhe me konsideratë, Gjyqtare Arnisa Këlliçi”, thuhet në letër.

Lini një Përgjigje