Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka zhvilluar një takim me Drejtorët Vendorë. Kreu i Policisë së Shtetit, ka bërë një listë me porosi duke filluar nga drejtori i Drejtorisë Vendore deri të punonjësi i rolit bazë.
Nga mbajtja nën kontroll të situatës kriminale dhe rritja akoma më shumë e parametrave të sigurisë publike dhe rrugore, lufta kundër trafiqeve të paligjshme dhe çdo paligjshmërie që shfaqet në territor, ndjekja në dinamikë e konflikteve deri të ankesat e qytetarëve.
Proda u kërkoi drejtuesve vendorë të Policisë të qëndrojnë në krye të shërbimeve, të ushtrojnë kontroll për zbatimin e detyrave nga vartësit dhe të jenë vigjilentë ndaj shqetësimeve dhe ankesave të qytetarëve. Këto porosi vijnë në një kohë ku disa prej tyre do të largohen nga detyra.
Pavarësisht përcaktimeve në Ligjin e Ri të Policisë që drejtuesit vendorë duhet të hyjnë në konkurrim, Drejtori i Përgjithshëm u ka kërkuar drejtuesve vendorë të Policisë të kryejnë detyrën me përkushtim sa kohë që janë në atë detyrë.
Në përfundim, Drejtori Proda ka theksuar se performanca në punë, integriteti dhe profesionalizmi janë kriteret thelbësore për një punonjës policie dhe mbi këto kritere do të bazohet vlerësimi i secilit punonjës policie.
Lini një Përgjigje