Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Salianjit për pezullim të vendimit të dënimit me 1 vit burg.
Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën e avokatëve të Ervin Salianjit, duke bërë kështu që ish-deputeti demokrat të mbetet në burg.
Vendimi u mor nga trupa gjykuese e kryesuar nga Sokol Binaj dhe anëtarë Ilir Panda dhe Sander Simoni.
“Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e kërkesës së paraqitur nga kërkuesi Ervin Salianji, për Pezullimin e vendimit nr.2900 date 18.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi me vendimin nr. 30-2024-6822, datë 26.09.2024 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë””, thuhet në njoftim.
Në seancën e kaluar më 9 tetor, mbrojtja e Salianjit u tërhoq nga kërkesa për shtyrjen e vendimit të ekzekutimit të dënimit me burg, pasi objekti i kërkesës nuk qëndronte më me dorëzimin e ish-deputetit.
Avokati i Salianjit, Ledio Braho, duke folur për mediat pas përfundimit të seancës së 9 tetorit tregoi edhe detaje në lidhje me mënyrën se si ish-deputeti i PD po përballon burgimin.
“Salianji është i qetë. Zgjodhi vetë të dorëzohej. Të gjithëve kur u kufizohet liria, kanë problematikat e veta, por duke qenë se po vuan një dënim politik ai do të çojë deri në fund. Nga Gjykata e Lartë pretendojmë pezullimin e vendimit të Apelit.
Presim vendimmarrje nga Gjykata e Lartë që do të gjykohet më 15 tetor. Mjeti procedural aty është i arsyeshëm për t’i gjykuar dhe presim një vendimmarrje nga Gjykata e Lartë, presim pezullimin. Salianji ka bërë një denoncim publik. Vendimi i Gjykatës së Apelit ende nuk është zbardhur, nuk i dimë arsyet pse u la në fuqi vendimi i shkallës së parë. KQZ nuk e ka hequr mandatin e deputetit Salianji, presim vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë”, tha avokati i tij.
Kujtojmë se Salianji prej 27 shtatorit ndodhet në burg, në akuzën për kallëzim të rremë. Ai është dënuar me një vit burg nga Gjykata e Apelit, vendim që nga opozita është cilësuar politik.
Lini një Përgjigje