TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Dhjetor 2024, 18:46

Sulmi ndaj selisë diplomatike shqiptare në Kiev, Ministria e Jashtme thërret ambasadorin rus në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti

Sulmi ndaj selisë diplomatike shqiptare në Kiev, Ministria e Jashtme

Pas sulmit rus në ambasadën shqiptare në Kiev, Ministria e Punëve të jashtë ka thirrur në takim ambasadorin e Rusisë në Tiranë Zaitsev Alexei Anatolyevitch, për të folur lidhur me këtë çështje.

Mësohet se ambasadori ka qëndruar për disa minuta në ambientet e Ministrisë së Jashtme ndërsa ministri Igli Hasani i ka shprehur protestën e qeverisë shqiptare për sulmin e ndodhur mëngjesin e sotëm në Kiev.

Ndërkohë, Ministria ka postuar në platformën “X” disa pamje nga dëmet e shkaktuara në Ambasadën e Shqipërisë në Kiev, teksa thekson se u vu në rrezik jeta e personelit diplomatik.

“Një seri sulmesh ajrore nga Federata Ruse tronditi Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të mëdha në disa zona të kryeqytetit ukrainas. Si pasojë e këtyre sulmeve u dëmtua pjesërisht Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kiev, si dhe ambasadat e pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm mbi themelet e diplomacisë ndërkombëtare.

Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhen respektuar dhe respektuar plotësisht”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Sipas raportimeve nga Kievi, mësohet se në shënjestër ka qenë një ndërtesë pranë ambasadës maqedonase, e përdorur nga shërbimet e sigurisë ushtarake të Ukrainës. Ndërkohë, autoritetet lokale në Ukrainë njoftojnë se të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë valës intensive nga bombardimet ruse që goditën Kievin bashkë me rajonin jugor të Hersonit. Në të gjithë Ukrainën u lëshuan sirena për të paralajmëruar sulme ajrore për disa orë.

Lini një Përgjigje