
Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik.
Kievi u pushta nga një breshëri raketash të lëshuara nga Rusia dhe që synoni kryeqytetin Ukrainas. Sulmet shkaktuan dëme kolosale, ndërkohë që si pasojë e këtyre sulmeve është dëmtuar ambasada e Shqipërisë në Ukrainë e cila u hap vetëm pak muaj më parë. Në ndërtesën ku ndodhet ambasada shqiptare mësohet se është edhe ajo e Maqedonisë së Veriut dhe për rrjedhojë edhe ajo ka pësuar dëmtime të shumta.

Lidhur me këtë sulm ka reaguar edhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila ka dhënë detaje mbi situatën në ambasadën shqiptare në Kiev. MEPJ-ja njofton se si pasojë e sulmit ka pasur vetëm dëme materiale si brenda ashtu dhe jashtë ambienteve të ambasadës, por fatmirësisht nuk ka dëme apo lëndime në njerëz.
“Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës.
Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale”, thuhet në njoftimin e MEPJ.
Më tej MEPJ, ka dënuar sulmin rus ndaj ambasadës shqiptare, duke e quajtur atë një akt brutal ndaj themeleve të diplomacisë ndërkombëtare
“Ne dënojmë pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas raportimeve nga Kievi, mësohet se në shënjestër ka qenë një ndërtesë pranë ambasadës maqedonase, e përdorur nga shërbimet e sigurisë ushtarake të Ukrainës.

Ndërkohë, autoritetet lokale në Ukrainë njoftojnë se të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë valës intensive nga bombardimet ruse që goditën Kievin bashkë me rajonin jugor të Hersonit. Në të gjithë Ukrainën u lëshuan sirena për të paralajmëruar sulme ajrore për disa orë.

Sipas kreut të administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko, Rusia hodhi tetë raketa – përfshirë raketa hipersonike Kinzhal dhe raketa balistike Iskander/KN-23 – vetëm në Kiev./Pamfleti
Lini një Përgjigje