
Deputeti Agron Gjekmarkaj do ta kalojë natën në QSUT. Ai është transferuar nga Spitali i Trumës te Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për një kontroll më të specializuar. Ai është transportuar me ambulancë, siç shihet dhe nga pamjet.
Gjekmarkaj u ndie keq gjatë protestës së opozitës sot dhe humbi ndjenjat. Ai akuzoi policinë se gjatë momentit që nisi të shtynte turmën, i është ushtruar presion në gjoks dhe ju mor fryma.
"U thashë jam nënkryetar Parlamenti, jam profesor universiteti... As më shikonin fare në sy. Më ushtruan presion në gjoks dhe mbeta pa frymë", tregoi vetë Gjekmarkaj.
Edhe Berisha akuzoi policët se e kanë dhunuar Gjekmarkaj dhe për pasojë ai humbi ndjenjat. Sipas tij, porosia ka ardhur nga Rama.
“Kriminelët profesionistë e kanë goditur në zona të dhimbshme dhe ai ka humbur ndjenjat. Është rrethuar nga 15 policë, ku 3 janë shefa komisariatesh. Zoti Gjekmarkaj ka qenë target i urdhëruar nga Edi Rama. Shoqëruesi i tij, punonjës Garde, ju ka treguar policëve dokumentin e Gardës, kurse narkobanditët me uniformë e kanë marrë zvarrë. Ata e kanë qëlluar, se ndryshe pse do humbiste ndjenjat ai? Ata e kanë qëlluar dhe kur humbi ndjenjat ai e kuptuan se çfarë bën. Akti është një krim publik i përsëritur. Që të marrësh e të rrëmbesh Agron Gjekmarkaj si protestuesin më agresiv, tallesh me veten tënde. Ka qenë porosi e Edi Ramës, sjellja ndaj tij”, tha Berisha pas daljes nga spitali.
Lini një Përgjigje