
Gjykata e Tiranës vendosi sot në favor të News 24, duke urdhëruar kthimin e menjëhershëm të pajisjeve të sekuestruara pa autorizim.
Sipas vendimit, stafi duhet të lejohet të hyjë në ambientet e “Panorama Group”, ndërsa kontrata e qirasë mbetet në fuqi deri në vitin 2033. Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë kërkon zbatim të menjëhershëm të vendimit dhe ndalimin e çdo pengese ndaj punës së lirë të medias.
Ndërkohë Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë në një reagim për mediat tha se vendimi i Gjykatës duhet të zbatohet menjëherë.
Në vijim theksohet se ky vendim gjyqësor duhet të shërbejë si precedent i qartë për të gjitha rastet e ardhshme, duke i kujtuar institucioneve dhe subjekteve private se cenimi i të drejtës së punës së gazetarëve dhe ndërhyrja në materialet e tyre profesionale përbën shkelje të rëndë ligjore dhe dëm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias në Shqipëri.
“Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë përshëndet vendimin e Gjykatës së Tiranës, i cili njeh dhe mbron të drejtat ligjore të gazetarëve dhe stafit të “Fokus Group”, duke urdhëruar kthimin e menjëhershëm të pajisjeve dhe dokumenteve të punës të sekuestruara pa autorizim.
Sipas vendimit:
Shoqëria KAYO është e detyruar të rikthejë brenda 48 orëve të gjitha materialet e marra nga ambientet e redaksisë, përfshirë kompjuterët, dosjet dhe çdo pajisje pune të gazetarëve.
Stafi të lejohet pa vonesë të hyjë në ambientet e “Panorama Group”, kontrata e së cilës është e vlefshme deri në vitin 2033.
Palët e dëmtuara të ndërmarrin brenda 15 ditësh veprimet ligjore ndaj institucioneve shtetërore për shkeljen e të drejtës së ushtrimit të profesionit dhe cënimin e sekreteve gazetareske.
UGSH kërkon nga organet shtetërore të zbatojnë menjëherë dhe pa asnjë zvarritje këtë vendim, duke ndaluar çdo veprim që pengon punën e lirë dhe të pavarur të medias”, thuhet në deklaratë.
Lini një Përgjigje