Falsifikatorët nuk janë futur me dhunë në Arkivën e Shtetit, por u është hapur dera nga drejtuesit e saj, ose sipas të dhënave të BKH, janë nxjerrë regjistrat jashtë arkivës; madje për 23 pasuri, faqet e regjistrave janë fotokopje, kur para më se 100 vitesh nuk kishte pajisje fotokopje...
Fillimisht po përmendim një fakt: Më 12 prill 2018, Prokuroria e Vlorës, sekuestroi 115 mijë m2 tokë në Himarë, që u ishte grabitur pronarëve të vjetër trashëgimtarë; të cilat, pas ekspertimit të dokumenteve, rezultoi se ishin përfituar duke falsifikuar regjistrat e pasurive të para vitit 1945.
Pas këtij rasti, në Prokurorinë e Vlorës u bënë denoncime dhe nga banorë të Borshit, Piqerasit e Lukovës, për grabitje tokash nëpërmjet falsifikimeve të bëra në regjistrat e vjetër të Arkivës së Shtetit, por prokuroria nuk veproi me tej duke e lënë çështjen në heshtje.
Shkaku që “i lidhi duart” Prokurorisë së Vlorës para 6 vitesh, u zbulua nga Byroja Kombëtare e Hetimit, gjatë shqyrtimit 2-vjeçar të denoncimeve për tokat që u janë grabitur banorëve të Himarës e Borshit, si dhe gjatë afro 1 viti hetim të dosjes “Xhaçka”.
Agjentët e BKH, kanë konstatuar se në 187 sipërfaqe tokash në Himarë, pronarë janë persona që i kanë përfituar me dokumente false, të marra nga Arkiva e Shtetit në regjistrat e pasurive të paluajtshme të viteve 1910-1930 .
Në informacionin që ka siguruar “Pamfleti”, thuhet se agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë zbuluar falsifikime të emrave të personave e familjeve pronare të vjetra të Himarës, të sipërfaqeve, të kufijve mes tokave dhe indekseve tyre të para 90-110 vitesh.
Gjurmët e veprimeve, kanë konstatuar se pas marrjes së dokumenteve të falsifikuara në Arkivë, ata janë vetë-deklaruar “pronarë”; i kanë paraqitur në Komisionin e Pronave dhe në Gjykatën e Vlorës, ku janë njohur si pronarë të vjetër trashëgimtarë e i kanë regjistruar në Hipotekë.
Banorë të Himarës pas vitit 1950, por dhe persona që nuk kanë qenë himariotë autoktonë e as nuk janë banorë atje as sot, kanë grabitur toka mbi të cilat kanë ndërtuar vila, hotele e resorte.
Ekspertimet e bëra nga Policia Shkencore, kanë konstatuar se i kanë përfituar me falsifikime regjistrash të tapive të Himarës në Arkivën e Shtetit; falsifikime që janë bërë pas vitit 2009, duke ndërhyrë lirshëm te regjistrat e viteve 1910-1930.
Falsifikime në Arkivën e Shtetit, si gjoja pronarë trashëgimtarë të vjetër, janë bërë dhe për tokat buzë detit, të dhëna me Ligjin nr. 7501, të cilat historikisht kanë qenë prona shteti.
Por Komisioni i Pronave dhe Gjykata e Vlorës, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, ua kanë njohur e ua kanë dhënë grabitësve që kanë paraqitur dokumente të falsifikuara, madje dhe Policia Shkencore në vitet 2014-2022, ka dhënë akt-ekspertimi sikur nuk janë bërë falsifikime.
Falsifikatorët nuk janë futur me dhunë në Arkivën e Shtetit, por u është hapur dera nga drejtuesit e saj; ose sipas provave të BKH, në shumë raste janë nxjerrë regjistrat jashtë arkivës dhe është vepruar rehat për të bërë falsifikimet.
Skandal është fakti, që për 33 pasuri në Himarë, faqet e regjistrave janë fotokopje, kur para më se 100 vitesh nuk kishte pajisje fotokopje; ndërsa drejtuesit e Arkivës i kanë konfirmuar si tapi origjinale e të rregullta.
“Pamfleti” ka mësuar, se BKH do zbarkojë në Arkivën e Shtetit për regjistrat e pasurive të para viteve 1945, që janë korigjuar pas vitit 2000; nisur prej provave të zbuluara deri tani, por dhe prej faktit, që në Policinë Shkencore, janë 780 kërkesa të dorëzuara për ekspertim nga pronarët banorë të vjetër të Himarës./Pamfleti
Lini një Përgjigje