TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Korrik 2025, 13:00

Gjendet i pajetë në dhomën e hotelit ish-ambasadori gjerman, dyshimet e para

Shkruar nga Pamfleti

Gjendet i pajetë në dhomën e hotelit ish-ambasadori gjerman,

Daum ishte ambasador në kohën e eksodit të 2 korrikut, kur në atë kohë ai kishte udhëzuar stafin e Ambasadës që të mbante dyert hapur, duke mirëpritur sa më shumë shqiptarë.

Gjendet i pajetë në dhomën e hotelit ku po pushonte ish-diplomati gjerman, Werner Daum.

Ish-ambasadori, 82-vjeçar, i cili shërbeu në Shqipëri mbi 35 vite më parë, u gjet i pajetë mëngjesin e sotëm nga sanitarja e hotelit në zonën e Golemit.

Dyshimet e para janë se viktima ka pësuar infakt, ndërsa kurohej më parë për probleme me zemrën dhe merrte medikamente përkatëse.

Referuar raportimeve, stafi i hotelit kishte hyrë në dhomën e ish-ambasadorit, pasi ai nuk po i përgjigjej thirrjes telefonike nga recepsioni i hotelit, ndërkohë që rezultonte se nuk kishte dalë nga dhoma.

Në këto kushte një prej punonjëseve të hotelit ka hyrë në dhomën ku qëndronte diplomati veteran, ku edhe është gjetur i pajetë.

Nga raportimet mësohet se stafi i hotelit u vu në lëvizje ndaj ish-ambasadorin e kërkonte një person, me të cilin kishte lënë takim. 

Kush ishte Werner Daum

Werner Daum shërbeu si ambasador i Gjermanisë në Tiranë nga viti 1987 deri në 1990, në një periudhë vendimtare për të ardhmen e vendit.

Daum ishte ambasador në kohën e eksodit të 2 korrikut, kur në atë kohë ai kishte udhëzuar stafin e Ambasadës që të mbante dyert hapur, duke mirëpritur sa më shumë shqiptarë.

Daum kthehej në Shqipëri pas 35 vitesh, ku edhe humbi jetën mëngjesin e së shtunës.  

“E adhurova këtë vend, sepse është i mrekullueshëm. Por, ndoshta edhe më shumë, adhurova popullin e tij. Dhe e ndjeja, e perceptoja prej gati një viti, që nga fillimi i 1989-tës, se po piqeshin kushtet për një revolucion. Njerëzit kishin ndryshuar. Nuk kishin më frikë totale nga reagimi i regjimit.

Gati çdo muaj e ndjeja gjithnjë e më shumë atë frymë rebelimi, atë dëshirë për të dalë nga shtypja. Dëshira për të jetuar të lirë, për të qenë të lirë të takoheshin me të tjerët, për të udhëtuar jashtë vendit, për të përmirësuar kushtet ekonomike, e gjitha kjo po rritej jo gradualisht, por me hapa gjigantë”, tha Werner Daum në intervistën e dhënë për Top Channel pak para se të ndërronte jetë.

Nderimi i fundit në Kavajë

Ish-ambasadori kishte ardhur në Shqipëri prej disa ditësh, ndërsa iu bashkua ceremonisë së inaugurimit të shtatores së dëshmorit të demokracisë, Josif Budo, në qytetin e Kavajës.

Gjatë vizitës në Bashkinë e Kavajës, ish-ambasadori gjerman Ëerner Daum u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryebashkiaku Fisnik Qosja, për kontributin e tij në momentet historike të vitit 1990.

Madje gjatë ceremonisë ai mbajti edhe një fjalim të shkurtër, duke dhënë edhe një mesazh, që duket se ishte i fundit.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që ndodhem këtu, por ju kërkoj ndjesë që nuk flas më në gjuhën shqipe. Flisja shqip rrjedhshëm kur hapa ambasadën gjermane këtu në vitin 1987. Dhe gjuha juaj e bukur më ka shoqëruar gjatë gjithë kësaj kohe. Siç e dini, dhe më të rinjtë prej jush mund ta kenë dëgjuar, shqiptarëve atëherë nuk u lejohej të flisnin me të huajt. Por shqiptarët ishin të guximshëm, edhe nën shtypjen komuniste, dhe më afroheshin në rrugët e Tiranës, e edhe më shumë jashtë kryeqytetit. Më afroheshin kur udhëtoja nëpër këtë vend të bukur, në Durrës, në Shkodër, në Elbasan dhe në Kavajë.

E ndjeva, të paktën që në vitin 1988, se populli shqiptar nuk ishte më i gatshëm ta mbështeste regjimin. Nuk ishin vetëm individë. i gjithë populli i Shqipërisë, dhe sidomos të rinjtë, rinia, studentët, por edhe të rinjtë e zakonshëm, nuk donin më të jetonin nën shtypje. E dija që duhej vetëm një shkëndijë për të ndezur një revolucion. Dhe ajo shkëndijë erdhi pikërisht këtu, nga Kavaja.

Nuk e kam njohur Josif Budon. Vetëm dëgjova në Tiranë se kishte një kryengritje në Kavajë, se të paktën një person ishte vrarë nga Sigurimi. Por kjo ishte shkëndija që ndezi jo vetëm një rebelim, por revolucionin për liri.

Josif Budo pagoi çmimin më të lartë për mendimin e tij, për dëshirën dhe për dashurinë ndaj vendit të tij. Sakrifica e tij ofroi atë që ishte e nevojshme për të nisur revolucionin, jo vetëm të 3,000 njerëzve që erdhën në ambasadën time atë kohë, por të të gjithë popullit shqiptar.

Sakrifica e Josif Budos ishte një moment që jo vetëm më frymëzoi mua, por edhe ata 3,000 njerëz që ndodheshin në ambasadë, edhe pse shumica prej jush jeni shumë të rinj për t’i kujtuar, dhe vetëm keni dëgjuar për to. Por ju të gjithë e dini dhe do të përcillni më tej guximin dhe sakrificën e Josif Budos, i cili vërtet ndezi Shqipërinë e re, një Shqipëri të lirë, një Shqipëri me të ardhme për të gjithë qytetarët e saj.

Duhet ta dini dhe ta përcillni sakrificën e Josif Budos, e cila nuk ishte vetëm një shkëndijë për Shqipërinë, por sakrifica e nevojshme për të krijuar një Shqipëri të re”, shprehej ish-ambasadori. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje