TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Maj 2024, 13:28

Fitoi gjyqin në Strasburg, KPA rikthen në detyrë prokuroren Antoneta Sevdari

Shkruar nga Pamfleti
Fitoi gjyqin në Strasburg, KPA rikthen në detyrë prokuroren
Kolegji i Posaçëm i Apelimit

KPA ka vendosur sot rishikimin e vetingut për ish-prokuroren Antoneta Sevdari pasi kjo e fundit dërgoi çështjen e shkarkimit të saj në Strasburg dhe e fitoi.

Pas shqyrtimit KPA vendosi rikthimin në detyrë.

Kërkesa e Sevdarit për rishikim në Kolegj erdhi pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës në rastin e shkarkimit të saj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.Gjykata vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional”.

Pse u shkarkua nga Vetingu prokurorja Sevdari?

Prokurorja Sevdari kaloi pa probleme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por Komisioneri Publik deklaroi se vendimi i Shkallës së Parë është marrë pa u bërë fillimisht një hetim i thelluar të paktën në dy kritere.

Pasuria e bashkëshortit të saj solli edhe verdiktin final. Kolegji i Posaçëm i Apelimit deklaroi si të pamjaftueshëm justifikimin e pasurisë së saj dhe të bashkëshortit, i cili ka jetuar në Arabinë Saudite, burime që për një pjesë kanë shmangur tatimet.

Për sa i përket aftësive profesionale, Kolegji vendosi të mos nisë hetime për 10 denoncimet e ardhura ndaj saj, sepse nuk përmbajnë fakte dhe rrethana të mjaftueshme.

Kolegji vendosi se Sevdari “ka cenuar besimin e sistemit të drejtësisë”, duke ndryshuar në këtë mënyrë vendimin e një viti më parë të KPK-së.

Në muajin mars 2024, si asnjëherë tjetër që nga nisja e procesit të vetingut në drejtësi, Kolegji i Posaçëm i Apelit, vendosi të rishikojë një vendim të dhënë prej tij për përjashtimin e një prokurori nga sistemi.

Ndonëse vendimet e KPA janë të formës së prerë dhe të paankimueshme, në rastin prokurores Antoneta Sevdari, rishikimi i vendimit ishte një detyrë e caktuar shtetit shqiptar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Vendimi i Strasburgut, që i hapi rrugë rigjykimi të çështjes “Sevdari” në KPA, u shpall më dhjetor 2022. Gjykata Europiane tha se shkarkimi nga detyra i Sevdarit ishte disproporcional me problemet e vërejtura në pasurinë e siguruar nga bashkëshorti para martesës.

Në të njëjtin vendim, Strasburgu detyroi shtetin shqiptar të dëmshpërblejë Sevdarin dhe kompensojë shpenzimet gjyqësore në një total prej 24 600 euro.

antoneta sevdari kpa

Lini një Përgjigje