Në fshatin Ferras, 75 banesa të pozicionuara si brenda ashtu edhe jashtë argjinaturës janë përfshirë nga përmbytjet, pas rritjes së menjëhershme të nivelit të ujit.
Uji dhe balta pushtuan oborre e ambiente banimi, duke krijuar një situatë të rëndë për familjet e zonës.
Banorët tregojnë se përmbytja i gjeti të papërgatitur dhe se masat e marra në minutat e fundit nuk dhanë efekt, pasi uji hyri nga disa drejtime njëkohësisht. Niveli i ujit në disa banesa kaloi 1 metër, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në pasuri dhe mjete jetese.
Pavarësisht rrezikut, shumë familje refuzuan të largohen nga banesat, duke qëndruar për të shpëtuar sendet personale dhe për të mos lënë pa kujdes bagëtitë, të cilat i nxorën në rrugë për t’i shpëtuar nga uji.
Gjatë mëngjesit të sotëm, komisionet e verifikimit të dëmeve dolën në terren për të evidentuar pasojat e përmbytjes. Banorët shpresojnë në dëmshpërblim nga institucionet, ndërsa theksojnë se përmbytja e kësaj here ka shkaktuar dëme shumë më të rënda se episodet e mëparshme.
Lini një Përgjigje