
Buxheti total prej 4 milionë dollarësh për 11 projekte është mesatarisht rreth 363,000 dollarë secili, krahasuar me çmimin mesatar të një shtëpie të re të vetme në SHBA në 2010, që ishte 222,000 dollarë.
Martin A. Perryman , një kolonel në pension i ushtrisë amerikane, është një ekspert i mbrojtjes dhe i politikës së jashtme. Në një analizë lidhur me ndihmën amerikane, e cila për gati dy muaj u ndërpre në të gjithë Botën me qëllim kontrollin mbi shpërndarjen e fondeve përmes USAID, ka zbuluar detaje lidhur me mënyrën se si janë përdorur fondet në Shqipëri, sa kanë ndihmuar ato dhe si kanë ndikuar në frymën e shqiptarëve ndaj SHBA.
“Një shembull i shkëlqyer është detyra ime si Shef i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Shqipëri. Në atë kohë, forcat e SHBA-së dhe të koalicionit ishin të angazhuara shumë në Irak dhe Afganistan. Shqipëria kishte dërguar trupa në Afganistan që nga viti 2003, duke shërbyer kryesisht si bazë sigurie. Kur Shqipëria u bashkua me NATO-n në vitin 2009, u rrit entuziazmi që Shqipëria të plotësonte shpejt kërkesat për anëtarësimin në NATO dhe të fitonte aftësinë për të marrë pjesë në operacione "jashtë telit", duke lehtësuar një pjesë të presionit mbi Forcat e Operacioneve Speciale të SHBA”, shkruan Perryman.
Analiza nga Martin A. Perryman*
Perceptimet e gabuara rreth kostove dhe përfitimeve të ndihmës së huaj të SHBA-së kanë çuar në gabime aktuale të buxhetit dhe politikave. Sipas KFF, një organizatë e pavarur kërkimore dhe sondazhi për politikat shëndetësore, shumica e të rriturve në SHBA mbivlerësojnë përqindjen e buxhetit federal të caktuar për ndihmën e huaj. Përafërsisht 86% e të rriturve amerikanë besojnë se SHBA shpenzon rreth 1/4e buxhetit të saj për ndihmën e huaj.
Për shkak të këtij koncepti të gabuar, sondazhet vazhdimisht tregojnë se afërsisht 60% e të rriturve amerikanë mendojnë se qeveria amerikane alokon "shumë" për ndihmën e huaj. Kjo shifër është gati 90% te republikanët dhe 55% te demokratët.
Në realitet, ndihma e huaj ka qenë rreth 1% e buxhetit federal për 25 vitet e fundit. Kjo është në mënyrë dramatike më pak se niveli prej rreth 6% gjatë miratimit dhe ekzekutimit të Planit Marshall pas Luftës së Dytë Botërore.
Pothuajse e gjithë ndihma e huaj amerikane përvetësohet çdo vit nëpërmjet Aktit të Ndihmës së Jashtme. Çdo vit, Kongresi ka mundësinë dhe përgjegjësinë kushtetuese për të rishikuar, debatuar dhe rregulluar programet e ndihmës së huaj, për të siguruar që ato të përmbushin objektivat e SHBA-së në një mënyrë të përgjegjshme fiskale.
Duke përdorur të dhënat e VF2023, SHBA dha 68.2 miliardë dollarë ndihmë të huaj në vitin më të fundit me raportimin e përfunduar. Departamenti i Shtetit shpërndau 21.3 miliardë dollarë, pothuajse 30% e totalit. Shuma më të vogla u disbursuan nga departamentet e Thesarit dhe Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit dhe 16 agjenci të tjera. USAID shpërndau pjesën më të rëndësishme, rreth 43.8 miliardë dollarë ndihmë.
Pasqyrë e USAID-it
Deri në vitin 1960, ndihma e huaj amerikane zhvillohej dhe ekzekutohej në mënyrë të rastësishme. Nuk kishte asnjë strukturë apo planifikim koherent për të siguruar që dollarët federalë të fokusoheshin në interesat dhe objektivat e SHBA-së. Në vitin 1961, si pjesë e Aktit të ri të Ndihmës së Huaj, Kongresi krijoi Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) si një ent të pavarur, të ndarë nga Departamenti i Shtetit, i cili do të operonte shpejt sa i takon ndihmës të SHBA-së, veçanërisht në kohë krize, për të përmbushur qëllimet tona të sigurisë kombëtare.
USAID është një agjenci relativisht e vogël me rreth 13,000 punonjës. Kjo përfshin disa mijëra punonjës federalë, disa qindra staf të huaj vendas që punojnë në ambasada të ndryshme të SHBA-së në mbarë botën, dhe kryesisht kontraktorë amerikanë ose OJQ që ekzekutojnë projekte në vazhdim. Siç u përmend më herët, ata menaxhojnë një pjesë të vogël të buxhetit federal, rreth 0.04% (2/5 e 1 për qind). Një pjesë e konsiderueshme e këtij buxheti shpenzohet në SHBA për mallra dhe shërbime, veçanërisht produkte bujqësore, të ofruara në vendet përfituese. Megjithatë, agjencia performon vazhdimisht përtej pritshmërive, duke ofruar përfitime të konsiderueshme për SHBA-në në drejtim të vullnetit të mirë dhe mbështetjes. Gjithmonë në koordinim me objektivat më të gjera ushtarake dhe politike të SHBA-së, programet e USAID-it ndihmojnë në harmonizimin e interesave të vendeve partnere përfituese me ato të SHBA-së Kthimi nga investimi është i jashtëzakonshëm.
Jo gjithmonë perfekte
Ka pasur disa dështime të mëdha të programit nga USAID. Një shembull i mirë ka ndodhur në Afganistan. Për 15 vjet, nga viti 2002 deri në vitin 1017, USAID shpenzoi rreth 1.46 miliardë dollarë për të zhvilluar programe alternative për të inkurajuar fermerët afganë që të largohen nga lulëkuqet (opiumi) drejt kulturave më tradicionale. Programi ishte i pasuksesshëm. Prodhimi bujqësor vazhdon të jetë i fokusuar shumë në kultivimin e lulekuqes. Për më tepër, një raport i lëshuar nga Inspektori i Përgjithshëm Special i SHBA për Rindërtimin e Afganistanit, tregon se ndihma e SHBA, në formën e pajisjeve bujqësore, plehrave dhe edukimit shkoi për të përmirësuar kultivimin e lulëkuqes. Është qartazi një shembull i pasojave të padëshiruara.
Sigurisht, ka pasur gabime gjatë rrugës. Disa programe ishin të konceptuara keq dhe disa humbën rezultatin. Edhe një program i vogël nëse shpërdorohet, ndonjëherë edhe pa dashje, mund të bëjë më shumë dëm sesa mirë për interesat e SHBA. Fokusi aktual ka qenë në programet që lidhen me kategoritë buxhetore të USAID-it “Demokracia, të drejtat e njeriut dhe qeverisja;” “Arsimi dhe Shërbimet Sociale;” dhe "Paqja dhe Siguria". Përsëri, duke përdorur numrat e vitit 2023, këto tre kategori përfaqësonin një total të kombinuar prej 3.3 miliardë dollarë (rreth 7.5% të totalit).
Përvoja ime me USAID-in
Unë kam punuar me USAID-in në shumë detyra ushtarake, përfshirë në Ambasadën e SHBA-së në Turqi dhe Shqipëri. Në shumë vende, pashë se ata ishin të përkushtuar dhe të fokusuar në suksesin e misionit për realizimin e projekteve dhe programeve. Programet individuale u integruan dhe u fokusuan në avancimin e objektivave të rëndësishme të politikës së jashtme të SHBA-së.
Një shembull i shkëlqyer ishte detyra ime si Shef i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Shqipëri. Në atë kohë, forcat e SHBA-së dhe të koalicionit ishin të angazhuara shumë në Irak dhe Afganistan. Shqipëria kishte dërguar trupa në Afganistan që nga viti 2003, duke shërbyer kryesisht si bazë sigurie. Kur Shqipëria u bashkua me NATO-n në vitin 2009, u rrit entuziazmi që Shqipëria të plotësonte shpejt detyrimet që rridhnin nga anëtarësimi dhe të fitonte aftësinë për të marrë pjesë në operacione "jashtë perimetrit të sigurisë", duke lehtësuar një pjesë të presionit mbi Forcat e Operacioneve Speciale të SHBA.
Gjenerali Bantz Craddock, Komandanti i Komandës Evropiane të SHBA-së dhe Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri John Withers II bashkëpunuan me qeverinë shqiptare dhe partnerë të tjerë të NATO-s për të krijuar një plan të integruar për të arritur këtë qëllim. Plani trajtoi të gjitha kërkesat statutore, strukturore dhe të aftësive për anëtarësimin në NATO. Një komponent kyç u fokusua në rritjen e aftësive ushtarake të Shqipërisë, përgatitjen e kombit politikisht dhe sigurimin e mbështetjes së plotë të popullit shqiptar për të vendosur Forcat e Operacioneve Speciale Shqiptare për operacione aktive në Afganistan.
USAID luajti një rol vendimtar në përgatitjen e popullsisë shqiptare për këtë detyrë kërkuese, duke punuar në të gjithë vendin, veçanërisht gjatë viteve 2009 dhe 2010. Duke bashkëpunuar me Korpusin e Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane, USAID rinovoi pesë shkolla dhe themeloi gjashtë klinika të telemjekësisë në zona të largëta. Buxheti total prej 4 milionë dollarësh për 11 projekte është mesatarisht rreth 363,000 dollarë secili, krahasuar me çmimin mesatar të një shtëpie të re të vetme në SHBA në 2010, që ishte 222,000 dollarë.
Ky program me kosto efektive dhe i drejtpërdrejtë i USAID-it tregoi përkushtimin e SHBA-së për përmirësimin e kushteve në Shqipëri. Ai krijoi vullnet të mirë dhe mbështetje reciproke për SHBA-në dhe NATO-n në mesin e popullatës shqiptare. Kjo çoi në një gatishmëri për të vendosur ushtarë të rinj shqiptarë në role të drejtpërdrejta luftarake që mbështesin interesat e SHBA-së, role që në kushte të tjera do të ishin përmbushur nga ushtarët amerikanë. /Përshtati Pamfleti nga RealClear Defence/
*Martin A. Perryman, kolonel në pension i ushtrisë amerikane, ekspert i mbrojtjes dhe i politikës së jashtme
Lini një Përgjigje