Fabrizio Bucci nga Shqipëria strategjike do të shkojë në Berlin ku do të zërë vendin e Antonio Varricchio.
Ambasadori italian në Tiranë, Fabrizio Bucci do të lërë Shqipërinë dhe do të zhvendoset në Gjermani. Bucci, i cili ka përfaqësuar Italinë në vendin tonë që nga viti 2020 është emëruar nga qeveria e Giorgia Melonit si ambasador në Berlin.
Fabrizio Bucci tani më nga Shqipëria strategjike do të shkojë në Berlin ku do të zërë vendin e Antonio Varricchio, i destinuar për presidencën e ITA-s së re gjermane, falë hyrjes së Lufthansa.
Fabrizio Bucci është i njohur ndryshe si një nga ideatorët e kampeve italiane të emigrantëve në vendin tonë. Mesa duket, arritja me sukses e çeljes së dy kampeve në Gajdër i ka dhënë një shtysë në karrierë diplomatit. Meloni e cila duket e kënaqur me avancimin e paktit për emigrantët, duket se e ka shpërblyer të besuarin e saj në Shqipëri, duke e dërguar atë si ambasador në një vend të rëndësishëm si Gjermania.
Fabrizio Bucci lindi në Romë më 14 Prill 1964 dhe u diplomua në Shkenca Politike në Universitetin e Romës në vitin 1988. Ai iu bashkua karrierës diplomatike në vitin 1992. Ai u largua jashtë vendit në vitin 1996 për të shërbyer në Ambasadën Italiane në Kajro, ku qëndroi deri në vitin 2000. Më pas, ai u caktua në Përfaqësinë e Përhershme në BE në Bruksel.
Nga viti 2007 deri në vitin 2013 ai shërbeu si Këshilltar në Ambasadën Italiane në Uashington dhe më pas u emërua Shef i Njësisë së Afganistanit në Drejtorinë e Përgjithshme për Çështjet Politike.
Në janar 2014, ai u gradua në gradën e Ministrit Fuqiplotë dhe u emërua fillimisht Drejtor Qendror për Integrimin Evropian dhe nga viti 2015 si Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm për Bashkimin Evropian.
Ndërkohë sa i takon SHBA-së, Italia ka vendosur që të zgjasë mandatin e ambasadores në Uashington Mariangela Zappia deri në mesin e vitit 2025, për të anashkaluar zgjedhjet presidenciale në SHBA./Pamfleti
Lini një Përgjigje