TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Shkurt 2026, 21:41

Sulmet ndaj gjyqtarëve, KLGJ: Po cenohet figura dhe dinjiteti, trysnia ndaj gjyqësorit në rritje

Shkruar nga Pamfleti
Sulmet ndaj gjyqtarëve, KLGJ: Po cenohet figura dhe dinjiteti, trysnia ndaj
Godina e KLGJ

KLGJ ka reaguar përmes një deklarate rreth asaj që e konsideron si një trysni në rritje ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit. Reagimi i KLGJ-së vjen pas disa deklaratave të Kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, veçanërisht ndaj dy shoqatave që i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe kërkojnë rritje të pagave për sistemin e drejtësisë. Por gjithashtu edhe reagimeve nga opozita ndaj anëtares së GJKKO-së, Irena Gjoka, e cila sipas dokumenteve zyrtare rezulton e dënuar në Greqi dhe nuk e ka deklaruar këtë në formularin e dekriminalizimit, çka vë në rrezik vijimësinë e karrierës së saj në gjyqësor.

“Ju nuk jeni parti politike, për të dhënë opinione të tilla në publik, ju jeni gjykatës. Si mund të hidhni baltë mbi qeverinë e kësaj republike me këtë lloj retorike?! Dhe për më tepër flisni për zbritje fiktive të pagës referuese të bërë nga Këshilli i Ministrave.

Dhe thoni që ne jua paskemi përkeqësuar pozicionin financiar juve. Këto janë dokrra, nxirrni një dokument të përkeqësimit financiar se nuk jeni parti politike për të bërë deklarata publike, ato bëjini kur të keni realisht komente kur ju cënohet pozicioni”, deklaronte Rama pak ditë më parë, në një përplasje që pati me gjyqtarë dhe prokurorë.

Por Këshilli i Lartë Gjyqësor në reagimin e tij shprehet kundër qëndrimeve që cënojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve, si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

KLGJ thekson se në çdo shoqëri demokratike, gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit. “Për rrjedhojë, ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i çliruar nga çdo formë ndikimi, duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”, thuhet në deklaratë.

Në vijim, Këshilli i Lartë Gjyqësor shprehet se mirëkupton qëndrimet dhe opinionet kritike të shprehura nga funksionarë publikë apo subjekte private, e në veçanti nga media e shkruar dhe ajo audiovizive, të cilat kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të sistemit gjyqësor.

Por kohët e fundit, me shqetësim konstatohet një “trysni” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit, e cila ka një tendencë rritëse, si dhe shfaqja e disa qëndrimeve apo deklaratave me ndikim të dukshëm në informimin e opinionit publik, të cilat, përveçse shkelin të drejtat njerëzore të gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, rrezikojnë seriozisht edhe kryerjen e funksioneve të tyre ligjore.

Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se qëndrime të tilla cenojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve, si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Këshilli i Lartë, në respekt të detyrës së tij kushtetuese, është në mbrojtje të integritetit të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor dhe u bën thirrje që të shmangen deklarata të tilla, të cilat tentojnë të ndikojnë mbi sistemin gjyqësor.

Këshilli i Lartë Gjyqësor sjell në vëmendjen e opinionit publik se respekton misionin e pazëvendësueshëm të medias për informimin e publikut në lidhje me veprimtarinë e sistemit gjyqësor, por nga ana tjetër pret që edhe media të respektojë dinjitetin e gjykatës dhe të gjyqtarit, duke mos përcjellë informacion që përmban gjuhë apo imazhe fyese, të cilat cenojnë figurën e gjyqtarit.

Këshilli u bën thirrje të gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës. E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë.

Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse”, thuhet në deklaratën e bërë publike nga KLGJ.

 

klgj gjyqtare sulme

Lini një Përgjigje