TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Shkurt 2024, 10:56

‘Çështja Beleri’, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese: S’ka kërkesë përshpejtimi

Shkruar nga Pamfleti

‘Çështja Beleri’, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese:

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, gjatë konferencës për shtyp, ka folur mes të tjerash edhe në lidhje me çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.

E pyetur nëse është marrë në shqyrtim çështja, ajo u shpreh se çështja ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese, është duke u përgatitur, por ende nuk është gati.

Ajo shtoi se nuk ka asnjë kërkesë për përshpejtim të procesit në lidhje me masën e sigurisë.

“Në datën 28 shtator 2023 GJK ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur kalimin e saj në seancë plenare. S’ka ardhur në proces, është duke u përgatitur, janë duke u marrë materialet. Në momentin që një çështje bëhet gati dhe relatori është gati kërkon datën dhe vendoset. Nuk na rezulton të kemi kërkesë për përshpejtim nga palët e përfshira në proces”, tha Zaçaj.

Më 14 qershor Gjykata Vlorës dha vendim për vërtetimin e mandatit të Fredi Belerit si kryetar i Bashkisë së Himarës. Pas këtij vendimi, i hapet rruga hapit të fundit, ceremonisë së betimit të kryebashkiakut Beleri për mandatin e ri.

Sipas ligjit të qeverisjes vendore kryetari i bashkisë bën betimin para këshillit bashkiak, por rasti i Fredi Belerit është i veçantë.  Betimi para këshillit bashkiak është detyrim ligjor dhe do të pritet si do të veprohet. Nëse detyrimi ligjor i betimit nuk realizohet brenda 6 muajsh atëherë mandati i tij shuhet.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave. Po ashtu, Beleri sipas organit të akuzës, u premtonte se do t’i përfshinte në skema për përfitimin e shtetësisë greke dhe të pensionit nga shteti grek. Ndërsa përmes bashkëpunëtorëve të tij dyshohet se paguante shuma nga 50 deri në 200 euro për një votë në favor të tij. Pavarësisht hetimeve të nisur ndaj tij, Fredi Beleri mori Bashkinë e Himarës me 19 vota më tepër, përballë kandidatit socialist Jorgo Goro.

holta zaçaj gjykata kushtetuese fredi beleri

Lini një Përgjigje