Në hollin e Pallatit të Kongreseve po zhvillohen homazhe në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja. Gjyqtari Kalaja u qëllua për vdekje dy ditë më parë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit gjatë kohës që po ushtronte detyrën.
Një ngjarje e rëndë kjo jo vetëm për drejtësinë, por dhe për shtetin shqiptar, një skenë krimi që nxori në pah të metat madhore të sistemit ligjor si dhe të sigurisë në vend.Homazhet nisën në orën 09:00 dhe pritet të përfundojnë në orën 11:00. Figura e Astrit Kalasë do të nderohet nga figura shtetërore, kolegë, miq e familjarë, të cilët do t’i japin sot lamtumirën e fundit.
Në homazhet për gjyqtarin e ndjerë, kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, theksoi me shqetësim të thellë situatën e rëndë në sistemin e drejtësisë shqiptare.
“Kjo nuk është thjesht një ngjarje tragjike, por një vrasje e sistemit të drejtësisë”, deklaroi Haxhia për mediat. “Nuk bëhet fjalë vetëm për bojkot për bojkot, por duhet të ndalet ky alarm , që prek sistemin, nga gjyqtari më i lartë deri te avokati më i thjeshtë. Në shoqërinë tonë është mbjellë një urrejtje e thellë ndaj njerëzve të drejtësisë, që duhet çrrënjosur sa më shpejt”.
Ai nënvizoi se frika në sistem është bërë kaq e madhe saqë një gjyqtare i rrëfeu se “na kanë nxjerrë në pritë”.
“Ky është një mesazh i qartë që tregon se ne kemi nevojë për masa drastike që të dalim nga kjo gjendje e rëndë. Nuk është vetëm çështje e gjyqtarëve, por edhe e avokatëve që duhet të analizojnë thellë rolin dhe përgjegjësitë e tyre në këtë proces”.
Maks Haxhia e përshkroi Astrit Kalajën si “një njeri familjar dhe shumë human, që përfaqësonte vlerat më të mira të sistemit të drejtësisë”, duke shtuar se humbja e tij është një goditje e madhe për të gjithë profesionistët e drejtësisë në Shqipëri.
“Kjo ngjarje duhet të jetë thirrja jonë për të gjithë: avokatë, gjyqtarë, dhe çdo aktor i sistemit të drejtësisë. Populli duhet ta dijë se në një proces gjyqësor, gjysma e palëve do të humbasë, prandaj ne duhet të përpiqemi të ruajmë dinjitetin dhe sigurinë e të gjithë aktorëve në këtë proces”, përfundoi Haxhia.
Lini një Përgjigje