
Gazetarja Ola Xama ka folur mbi përplasjen që pati me kryebashkiakun Erion Veliaj, lidhur me një shkrim investigativ të publikuar në BIRN për inceneratorët.
Sipas gazetares kryebashkiaku e ka quajtur në mesazhe si "vrasëse me pagesë", çka solli reagime edhe nga organizatat ndërkombëtare të medias.
Gazetarja Xama tha se është ndjerë e intimiduar dhe e pasigurt nga mesazhet e kryebashkiakut. Ajo vë në dukje se shkrimi ka reflektuar atë që ishte në dosjen e SPAK-ut dhe asgjë më shumë.
“Unë kam bërë punën si gazetare duke bërë një shkrim i cili i referohej nga fillimi në fund çfarë ka SPAK-u në dosje. Pasi përfundoj shkrimin i dërgoj një kërkesë për koment si person që përmendej në këtë shkrim kryetarit të bashkisë z.Erion Veliaj, i cili nuk është përgjigjur. Pas botimit të shkrimit, 24 orë më pas, ai mua më dërgon një mesazh ku thoshte ‘që ke ngatërruar faktet’. ‘Ti je gazetare që paguhesh me borderotë e tyre, u shërben delikuenteve, dhe je një militante’. Unë i thashë që s’keni pse merreni me pjesën time personale, këto s’janë të vërteta, por profesionalisht më ktheni përgjigje për sa u kam pyetur, dhe çfarë keni thënë ju patjetër do reflektohet te shkrimi. Është reflektuar më pas 5 minuta më vonë gjithë reagimi i Velaijt lidhur me atë lidhej me shkrimin dhe jo me sharjet personale. Z.Veliaj insistonte që unë ta publikoja të plotë reagimin, bashkë me fyerjet dhe sharjet për mua, dhe unë i them që shkrimi nuk i referohet se çfarë kryetari i bashkisë për gazetaren, ka të bëjë me inceneratorin e Tiranës. Pasi marr mesazhe fyese që s’kam as integritet dhe as turp, në fund me vjen mesazhi që 'ti Ola nuk je gazetare, je vrasëse me pagesë' dhe më uronte 'fundjavë të mbarë'. Unë mendova se 'fundjavë e mbarë' ishte një përshëndetje që u mbyll komunikimi, por të nesërmen shoh shumë media që mua më konsideronin si një gazetare që ‘isha vrasëse me pagesë’!, tha Xama në “MCN”.
E pyetur si je ndjerë në këtë situatë, gazetarja thotë:
“Në këtë situatë ndihem e intimiduar. U ndjeva e pasigurt. Kam lexuar disa herë dosjen më pas. Nuk doja që të merrja akuza të pabaza. U ndjeva edhe e pasigurt në vetvete. Pasi e kam lexuar dosjen disa herë, prapë mendova që unë kam thënë çfarë është thënë në dosie dhe asgjë më shumë. Shkrimi është bërë fact checking edhe nga redaktorët dhe kryeredaktorët. Nuk është autore vetëm Ola, ka pasur disa filtra. Nuk e kanë për borxh familjarët e mi të shqetësohen të lexojnë ato akuza që më bëhen mua nëpër gazeta. Është shumë e tmerrshme të linçosh dikë pse bën punën, dhe ti vë në pikëpyetje duhet ta bëjë këtë punë apo jo. Do të vazhdoj. Do vazhdoj të bëj punën time, të raportoj me paanësi për të gjitha palët. Mbase në këtë vorbull të madh siç është inceneratori duan të shpëtojnë veten duke ia hedhur njëri-tjetrit, dhe këtu bëjnë dëm kolateral gazetarët ”, shprehet ajo.
E pyetur se çfarë thuhet në dosjen e SPAK-ut, Xama shprehet:
“Për mua fjalia që ka lajm në atë dosje është që inceneratori i Tiranës konsiderohet procedurë problematike nga Prokuroria e Posaçme. Z.Ahmetaj ka patur dijeni që ka qenë problematike dhe e ka lejuar sepse ka marrë përsipër financimin kryetari i bashkisë z.Erion Veliaj. Kjo është ajo fjalia që ka shqetësuar më shumë. Ajo firma që z.Ahmetaj e kthen pas për rishqyrtim katër herë deri sa në fund siguron atë firmën dhe pastaj thotë pa koment, ajo është pjesa që ka më shumë vlerë në atë dosje”.
E pyetur se çfarë do t’i thoshte kryebashkiakut Veliaj po ta kishe përballë, Ola Xama shprehet:
“Nuk mund të më besohet që dikush që ka drejtimin e qytetit më të madh në Shqipëri të arrijë në këto fyerje, linçime dhe intimidime. Kjo nuk tregon që ne kemi një nivel të mirë demokratik dhe nivel të mirë mendimi nga politikanët që na udhëheqin, sidmos ata të rinj. Nëse do kërkonte falje s’e di nëse do ta pranoja, sepse dëmi im është marrë, unë jam shqetësuar. Kam marrë mbështetje nga shumë kolegë të cilët i falënderoj dhe organizata që mbrojnë gazetarët. Në shkrim është cituar dosja e SPAK-ut. Pashë një reagim që kishte bërë Këshilltari për media i z.Veliaj që gënjente hapur te ai reagimi, ku thoshte që BIRN-i nuk reflektoi komentin tonë. Ndërkohë që BIRN-i e reflektoi komentin 5 minuta më mbrapa dhe është e verifikueshme tërësisht në internet. Kur arrijnë të gënjejnë për një gjë që është hapur, imagjino pastaj për dosjen!”.
Lini një Përgjigje