
Disa qytetarë nga Elbasani janë thirrur në SPAK për të dhënë deklarime, në kuadër të hetimit për koncesionin e “check up"-it.
Mësohet se Prokuroria e Posaçme ka thirrur sot për të dëshmuar 70 qytetarë nga Elbasani, të cilë janë pjesë e listave që raportohet se kanë marrë shërbimin check-up.
Në flet-thirrjen e tyre bëhet fjalë se marrja e dëshmisë është në funksion të procedimit nr. 122 të vitit 2020.
Të moshuarit do të pyeten veçmas dhe do t’i përgjigjen pyetjeve të hetuesve të BKH se sa herë kanë kryer “check up-in”, dhe në çfarë qendrash e kanë bërë atë.
Hetimet
Ish-ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur vitin e kaluar (18 korrik 2023) në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar. Ai u mor në pyetje lidhur me koncesionet e sterilizimit dhe dhe të “Check Up”-it.
Vetëm koncesioni i sterilizimit të pajisjeve mjekësore ka një kontratë prej 12.3 miliardë lekë, ndërsa ‘Check Up’ shkon në rreth 8.7 miliardë lekë.
Procedura për sterilizimin e seteve kirurgjikale është dosja e parë e SPAK edhe është nën hetim prej 3 vitesh.
Kujtojmë se SPAK ka regjistruar kallëzimin penal të depozituar nga nisma “Thurje” për përfshirjen në koncensionin e shërbimit të sterilizimit të mjeteve kirurgjikale në spitalet publike që në 16 janar 2020.
Që në fillim të këtij viti SPAK dhe GJKKO kanë nisur hetimet për korrupsion në nivele të ulëta ku përfshiheshin dhjetëra persona. Mësohet se hetimet për këto dy dosje të rëndësishme shtrihen përtej 2019, madje deri në vitin 2015, me qëllim që të zbulohen zyrtarët e përfshirë në abuzime.
Më 24 prill të vitit 2016, Prokuroria e Tiranës thirri për të dëshmuar për koncesionet e dhëna në shëndetësi zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Marrja në pyetje u tha se do të bëhej pas hetimit të nisur kryesisht nga Prokuroria në lidhje me procedurat e dhënies me koncesion të disa shërbimeve spitalore. Përveç zv.ministrit Rrjepaj, u tha se ishin thirrur për t’u pyetur edhe anëtarë të komisionit të tenderëve në Ministrinë e Shëndetësisë.
Hetimi për koncesionet në shëndetësi kishte nisur në fundin e vitit 2015, duke filluar 2016 me iniciativën e Prokurorisë nga njësia task-forcë. Prokuroria e Tiranës njoftoi asokohe se në hetim ishin marrë koncesioni për hemodializën, me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë si dhe koncesioni i check up-it falas.
Fillimisht organi i akuzës sekuestroi dhe verifikoi dokumentacionin e nevojshëm në lidhje me procedurat komplekse të dhënies me koncesion të shërbimeve publike dhe më pas do të vijohej me marrjen në pyetje të personave që kishin dijeni për çështjen. Koncesionet multimilionëshe të shërbimeve shëndetësore e vendosen ish-ministrin Ilir Beqaj në qendër të akuzave të medias dhe të opozitës, pasi rezultoi se kompani të panjohura dhe pa eksperiencë kishin qenë përfituese të tyre, duke bërë që hetimet për këto koncesione të mos mbylleshin sot e asaj dite.



Lini një Përgjigje