
GJKKO jep sot masat e sigurisë për 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e bashkisë së Tiranës lidhur me dosjen 5D.
Mbahet sot në GJKKO seanca për caktimin e masës e sigurisë për 9 drejtorët e ish-drejtorët e bashkisë Tiranë të cilët akuzohen për korrupsion lidhur me dosjen "5D".
Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, drejtorët më të rëndësishëm në institucionin e bashkisë, do dalin sot para gjykatës.
Të tjerët, do të njihen me masën "Detyrim paraqitje". Sipas SPAK, Qato dhe Molla janë pronarë de facto të kompanisë 5D, e cila ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë. Hetimi nisi kryesisht nga SPAK, më pas ka qenë Belind Këlliçi ai që dërgoi një kallëzim të ri për dosjen 5D.
Me kërkesë të SPAK, GJKKO firmosi dje 9 masat e sigurisë për zyrtarë dhe ish zyrtarë të bashkisë së Tiranës.
Në njoftimin e SPAK thuhet se Redi Molla për gjatë kohës që ushtronte funksionin e Drejtorit në “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” dhe Mariglen Qato gjatë kohës që ushtronte funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në UKT kanë shpallur fitues shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k. në 11 tendera.
SPAK ka prova se kjo shoqëri zotërohej nga 3 persona të cilët ishin ortakë fiktivë, ndërsa ortakët e vërtetë dhe pronarët “De facto” ishin Mariglen Qato dhe Redi Molla, të cilët kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore. SPAK thotë se kompania është shpallur fituese në këto tendera nga viti 2016 deri në 2020.
Gjithashtu '5 D' u shpall fituese dhe u favorizua edhe në tendera të shpalluar nga “Tirana Parking” dhe Klubi Sportiv “Tirana”
Të akuzuarit janë pjesë e dosjes për të cilën SPAK ka nisur hetimet në prill 2023 për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe kallëzimit që opozita bëri një muaj më pas, maj 2023. Të 2 procedimet penale u bashkuan në një procedim penal të vetëm, të numërtuar me nr.75 viti 2023.
Në njoftimin e SPAK thuhet se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqërinë tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k' në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit Eduard Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhamellari, si ortakë fiktivë në aktet e rregjistrimit dhe funksionimit të kompanisë.
Personat nën hetim dhe masa e sigurisë:
1- Redi Molla ish drejtor i Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a - Masa e sigurise: Arrest me burg
Akuza - I dyshuar për veprat penale: (i) “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 7 (shtatë) raste, nga këto 4 (katër) raste të kryera në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021
- Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer në 5 (pesë) raste, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
2- Mariglen Qato- Ish drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a. Deri para pak kohësh ka pasur dhe detyrën e ish drejtorit të IMT-së në bashki, Masa e sigurise: Arrest me burg
Akuza- I dyshuar për veprat penale: (i) “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 7 (shtatë) raste, nga këto 4 (katër) raste të kryera në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021
- Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer në 5 (pesë) raste, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
3- Taulant Tusha- Ish drejtor i Punëve Publike në bashkinë e Tiranës - Masa e sigurise: Arrest në burg
Akuza- I dyshuar për veprat penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
4-. Enton Punavija- Drejtor i Drejtorisë së Transportit në bashkinë e Tiranës - Masa e sigurise: Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”
Akuza- I dyshuar për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021;
“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal
5. Julian Zanaj- Drejtor i Prokurimeve në bashkinë e Tiranës - Masa e sigurise: Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”
Akuza- i dyshuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
6- Albano Janku- Drejtoria e Planifikimit të Burimeve Njerëzore në bashkinë e Tiranës- Masa e sigurise: Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”
i dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.
7- Nestor Muhamellari- administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k; Masa e sigurise: Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.
8- Eglantina Zere - Drejtore e Drejtorise se Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit - Masa e sigurise: “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, në Bashkisë Tiranë,
E dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.
9. Deborah Keçi - Drejtore e Klubit Sportiv Tirana - Masa e sigurise “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në “Klubin Sportiv Tirana”, pranë Bashkisë Tiranë.
E dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.
Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.
Lini një Përgjigje