
Ditën e sotme në orën 18:00 do të mbahet protesta e opozitës, ku Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të zbresë në shesh kundër qeverisë, i cila si shkak kryesor ka burgosjen e Ervin Salianjit më 27 Shtator.
Kryesia e PD ka parlajmëruar se kjo protestë do të jetë një marshim në formën e mosbindjes civile, pa fjalime si herët e kaluara.
Ndërkohë Policia zgjeroi hartën e rrugëve që do të bllokohen sot për protestën e thirrur nga Opozita.
Mbi 1 mijë forca policore priten të angazhohen për të garantuar rendin e sigurinë gjatë protestës së opozitës. Pjesë e tyre për të ruajtur sigurinë do të jenë dhe forcat shqiponja, e FNSH.
Dje kryetari i PD-së, Sali Berisha në videomesazhin e tij nga shtëpia ku ndodhet në 'arrest' tha se protesta e sotme është fillimi i mosbindjes civile pa ndalim deri në atë që e quan krijimi i qeverisë teknike.
"Na u përgjigjën me vjedhje te flamurit te partisë! Na u përgjigjën me arrestime politike! Na u përgjigjën me burgosje të kandidatëve fitues dhe deputetëve tanë! Dhe sot opozita... mbas 3 vitesh paralajmërimi për mosbindje civile. Mbas 7 protestash. kombëtare... ku ka përsëritur në dhjetëra fjalime kërkesat e saj, ka marrë vendimin. Vendimin për ti dal zot fatit të Shqipërisë, si shpresa e vetme që u ka mbetur shqiptarëve. Vendimin për të t'iu përgjigjur fushatës së terrorit të Edi Ramës, me sakrificat qytetare fisnike të mosbindjes civile për votën e lire. Vendimin që t'i përgjigjemi deklaratave për luftë ndaj nesh të Edi Ramës, dhëmbë për dhëmbë.", tha Berisha.
Kërkesa kryesore e PD-së është shkuarja drejt zgjedhjeve me qeveri teknike dhe pa Edi Ramën kryeministër.
Berisha u kujdes të mos zbulonte skenarin e protestës së 7 tetorit por ajo që dihet është se do të nisë para godinës së kryeministrisë e më pas protestuesit do të shpërndahen nëpër rrugët e Tiranës.
Edhe kreu u grupit të PD, Gazment Bardhi bëri thirrje dje që qytetarët ti bashkohen protestës dhe të mos pranojnë t'i nënshtrohen padrejtësive të qeverisë Rama.
'Shteti personal i Edi Ramës shtyp të pamundurit dhe mbron kriminelët dhe të korruptuarit. Është detyrë dhe mision i çdo qytetari të ndershëm që të reagojë ndaj tentativës së Partisë Socialiste për të zhbërë shtetin ligjor, dhe për të instaluar shtetin personal të Edi Ramës.” tha Bardhi.
Nisur nga ky skenar i opozitës, policia ka marrë masat, ndërsa njofton se do të jenë të paktën 15 akse dhe kryqëzime të të gjithë kryeqytetit që mund të bllokohen nga grumbujt e protestuesve.
“Në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi "Nënë Tereza" dhe në rrugët: "Ukraina e Lirë", "Papa Gjon Pali II" dhe "Ismail Qemali".
Në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe disa akse rrugore që lidhen me bulevardin kryesor.
Kryqëzimet e bllokuara do të jenë: Kryqëzimi i Librit Universitar, kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla "Sabaudin Gabrani", kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi te ish-stacioni i trenit, kryqëzimi i urës së Taiëanit, kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”, kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”, kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave, kryqëzimi i pallatit me shigjeta.
Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Ndërsa apelon pjesëmarrësit të distancohen nga aktet e dhunës.
Policia e Shtetit respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për të gjithë ata që do të marrin pjesë në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cënon sigurinë publike dhe jetën dhe çdo akt dhune ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike e private, ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave dhe qytetarëve' thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë pak ditë më parë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Sokol Bizhga thirri drejtorin e Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj dhe shefat e komisariateve për të koordinuar masat lidhur me protestën e nesërme.
Akset rrugore që do të bllokohen:
-Kafe “Europa” - Segmenti "Ushtari i panjohur" deri te 9-katëshet
-Shkolla "1 Maji" - kryqëzimi i urës së ATSH-së deri te rruga e Elbasanit
-Kryqëzimi i Liceut Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
-Sheshi “Skenderbej”, bashkia Tiranë dhe Pallati i Kulturës
-Kryqëzimi i Librit Universitar
-Kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla "Sabaudin Gabrani"
-Kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”
-Rrethrrotullimi "Zogu i Zi"
-Kryqëzimi te ish-stacioni i trenit
-Kryqëzimi i urës së Taiëanit
-Kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”
-Kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”
-Kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave
-Rruga "Dritan Hoxha", përpara vendit të quajtur “Kupola”
-Kryqëzimi i pallatit me shigjeta
Protesta e së hënës, e cila paralelisht po shoqërohet edhe me aksion në parlament të deputetëve opozitarë vjen pas arrestimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji. Në dy aksione deputetët e PD-së dogjën karriget në oborrin e parlamentit më 30 shtator, ndërsa të enjten e 3 tetorit bllokuan deputetët socialistë në seancën plenare ndërsa dogjën në oborr 4 manekinë./ Pamfleti
Lini një Përgjigje