
Është fundkorriku dhe Eltoni vjen i shoqëruar në qendrën e metadonit me të bijën 5-vjeçare. Ajo duket e lumtur, pa dhënë asnjë shenjë nëse e kupton dramën ku është zhytur familja e saj.
Sot 42-vjeç, Eltoni rrëfen se e ka nisur heroinën që në moshën 16 vjeçare pa mundur të shkëputet dot prej saj.
“Kam bërë disa tentative, por nuk ia kam dalë”- thotë Eltoni.
Prindër të dy fëmijëve një vajzë 5-vjeçe dhe një djalë 3-vjeç, drama e kësaj familje është se nën varësinë e drogës është edhe bashkëshortja. Të dy janë të regjistruar prej vitesh në programin e metadonit, por ai ka bërë pak përparime. Në momentin e intervistimit, rrëfen se kishte konsumuar heroinë vetëm pak para se të vinte në qendër. Krejtësisht nën efektin e drogës dhe i shoqëruar nga e bija e mitur, ai rrëfen se vetëm kur kanë lindur fëmijët janë “pastruar” për një periudhë 1-vjeçare.
“Po kam pirë heroinë, kemi arritur ta lëmë vetëm kur kemi lindur fëmijët. Po edhe bashkëshortja e konsumon. Kemi qëndruar 1 vit të pastër”.
Në këtë situatë ku e kanë thuajse të pamundur të kujdesen për veten, vështirësitë finaciare janë një rreth vicioz për ta. Me drama sociale që prekin jo vetëm ato personalisht por familjet dhe fëmijët e tyre, kjo ushtri në degradim përdoruesish nuk shihet nga pushteti lokal.
“Kam qenë në bashki dy herë, por nuk më kanë ofruar asgjë. Më kanë thënë hajde njëherë tjetër. Pavarësisht gjendjes së rëndë ku ndodhet i zhytur prej vitesh, ai apelon që askush të mos joshet nga droga”- tha Eltoni.
“As të mos i afrohen. Ata që e marrim me hundë, kanë një mundësi për ta lënë, të mos kalojnë tek shiringa”.
Eltoni është vetëm një nga qindra histori të zhytur në një jetë me mashtrime, pengje e burg si pasojë e varësisë nga droga.
Në dekadën e tretë të jetës si përdorues i heroinës, atij i janë mbaruar edhe damarët për të bërë injeksionin.
E gjejmë në momentin që ai bëhet gati të marrë dozën e parë të heroinës për atë ditë dhe pranon ta demostrojë për “Inside Story” si një apel për të gjithë ata që mund të joshen nga droga.
“E kam nisur që 16 vjeç dhe sot jam 41 vjeç, 18 vite kam qenë në burg, njëherë më akuzuan si shpërndarës por unë nuk jam. Në burg kanë qenë pushime për mua, vitet më të mira”.
I riu rrëfen se si pasojë e problemeve të tij me drogën i ati pësoi arrest kardiak dhe humbi jetën. Miq, shokë, të afërm nuk ka. Të gjithë e kanë braktisur përveç së ëmës.
Lini një Përgjigje