TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Qershor 2024, 15:10

Apeli e la në izolim shtëpiak, Ivi Kaso tregon çfarë do të ndodhë me mandatin e Berishës

Shkruar nga Pamfleti

Apeli e la në izolim shtëpiak, Ivi Kaso tregon çfarë do

Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike Ivi Kaso ka komentuar vendimin e Apelit të GJKKO-së e cila la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin.

Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, ndërsa në 20 qershor bëhen 6 muaj që mungon në seancat plenare që mund t’i rrezikojë edhe humbjen e mandatit të deputetit.

Teksa ka folur lidhur me situatën, Kaso thekson se Berisha nuk riskon asgjë sa i përket mandatit me gjithë dëshirën e mazhorancës.                                                             

“Referuar dispozitave kushtetuese, dispozitave ligjore, rregullores së parlamentit, që rregullojnë statusin dhe funksionin e deputetit dhe praktikave të mëparshme parlamentare, zoti Berisha nuk riskon asgjë për sa i përket mandatit, çka është qartësisht një dëshirë e mazhorancës, e eksponentëve të saj, të cilët e kanë evokuar shpeshherë në media dhe kanë ngritur këtë tymnajë. Kushtetuta është e qartë për sa u përket rasteve kur deputetët humbasin mandatin. Njëri nga rastet përveç atij të heqjes dorë vullnetarisht nga mandati ose kur verifikohen kushte të pazgjedhshmërisë për ato që kanë të bëjnë me vendime të formës së prerë që pamundësojnë vijimin e mandatit të deputetit, rasti është ai kur deputeti pa arsye vendos dhe zgjedh të mos e ushtrojë për një periudhë më shumë se 6-mujore. Ky nuk është qartësisht rasti i zotit Berisha, krejt e kundërta është e vërtetë”, u shpreh Kaso.

Ai sqaroi se ndaj Berishës ende nuk ka një akuzë penale dhe ai ka zgjedhur që të ushtrojë mandatin e tij si deputet, edhe pse prezenca fizike i është mohuar nga SPAK.

 “Berisha pavarësisht masës politikisht të motivuar, të sigurimit që është marrë ndaj tij, pavarësisht se ai ka vetëm cilësinë e një personi në hetim, ende sot nuk përballet me një akuzë penale. Berisha ka zgjedhur të ushtrojë mandatin. Për të qenë fizikisht në seanca ka kërkuar më shumë se një herë nga organi procedues, nga SPAK-u, që të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, leje kjo që i është refuzuar me arsye të nevojave të sigurisë. Kjo nuk do të thotë që zoti Berisha ka shpërfillur mandatin që i kanë dhënë zgjedhësit, por i është pamundësuar prezenca e tij fizike në punimet e Kuvendit, në seanca plenare ose në punimet e komisioneve për shkak të masës së sigurisë. Dispozita kushtetuese e cila parashikon jo pa qëllim faktin e mungesës më shumë se gjashtëmujore, por të pajustifikuar, nuk mund të aplikohet në asnjë rast ndaj zotit Berisha”, tha ai.

Kaso theksoi se mandatin Berisha ka zgjedhur ta ushtrojë edhe në forma të tjera, nëpërmjet iniciativave ligjvënëse në shumë prej të cilave janë paraqitur nga Grupi parlamentar i PD-së në Kuvend.

“Mandatin zoti Berisha ka zgjedhur ta ushtrojë edhe në forma të tjera. Nëpërmjet iniciativave ligjvënëse në shumë prej të cilave janë paraqitur nga grupi parlamentar i PD, zoti Berisha ka marrë pjesë. Duke pasur edhe një kryetare Kuvendi tërësisht notere të vullnetit të mazhorancës, qoftë edhe nga pikëpamja formale, nuk ka asnjë hapësirë ligjore në këndvështrimin tim, ose të rregullave të procedurës së Kuvendit që mund të shtyjnë Kuvendin që të përcaktojë fundin e mandatit të zoti Berisha për shkak të mosushtrimit të tij”, u shpreh ai për “Syri Tv”.

Lini një Përgjigje