![]()
Autoritetet tajlandeze kanë paralajmëruar se “ngarkesa do kthehet mbrapsht” dhe kanë kontaktuar me homologët në Shqipëri.
Dy anije të kompanisë “Maersk” me 100 kontejnerë me mbetje të rrezikshme të nisura nga Porti i Durrësit në 4 korrik dhe me destinacion Tajlandën kanë fikur sistemet e gjurmimit dhe vendndodhja e tyre mbetet e lokalizuar në det të hapur.
Nga të dhënat e deritanishme, besohet se dy anijet përmbajnë pluhur toksik që grumbullohet nga filtrat e furrave të çelikut. Kodi i Kuq është lëshuar në gjithë botën, teksa grupet për Drejtësinë Ambientale kërkojnë ndalimin e anijes dhe kthimin e saj në Europë. Mirëpo situata nuk është kaq e thjeshtë sa në dukje.
Linja e transportit “Maersk”, e ndarë në dy anije që transporton këto mbetje të rrezikshme, kishte planifikuar që të ankoronte në Cape Town, në Afrikën e Jugut. Por, pas paralajmërimit të dhënë nga grupi ndërkombëtar i mbikëqyrjes “BAN” me bazë veprimi në Zvicër për shtetin afrikan, në datën 31 korrik u fik GPS i anijes sikurse raporton “bloomberg.com”. Në këtë mënyrë, ankorimi i planifikuar i saj nuk u bë i mundur.
Afrika e Jugut ka nxjerrë në det disa skuadra kërkimi, por deri më tani raportohet se nuk është arritur të identifikohet anija “Maersk”.
Nga ana tjetër, Tajlanda ka paralajmëruar kthimin pas të dy anijeve me mbetje toksike.
Dy anijet pritet të mbërrijnë në brigjet tajlandeze mes 20 dhe 22 Gushtit. Autoritetet tajlandeze kanë paralajmëruar se “ngarkesa do kthehet mbrapsht” dhe kanë kontaktuar me homologët në Shqipëri, por edhe në Afrikën e Jugut.
“Agjencitë përkatëse qeveritare nuk janë njoftuar dhe nuk kanë dhënë pëlqimin për këto dërgesa. Aktualisht jemi duke koordinuar dhe monitoruar për të parandaluar këtë trafik të paligjshëm”, tha në një email Departamenti i Punëve Industriale të Tajlandës, i cili mbikëqyr menaxhimin ndërkombëtar të mbetjeve.
Nga hetimet e3 deri tanishme dihet se ngarkimi u bë në Shqipëri, në Portin e Durrësit në datën 4 korrik, por nuk dihet ende nëse lënda toksike ka origjinë vendin tonë.
Kujtojmë se në dy anijet të cilat mësohet se ndodhen pranë porteve të Tajlandës, ndodhen 816 ton pluhur furre me hark elektrik. Lënda toksike u ngarkua në Portin e Durrësit dhe u transportua me anijet “MSC Mediterranean Shipping Company S.A drejt Triestes dhe me destinacion final Tajlandën.
Autoriteti Portual i Durrësit është treguar i rezervuar duke mos dhënë sqarime për mbetjet që po transportojnë anijet “Maersk” drejt Azisë.
Pluhuri i furrës është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si Kadmiumi dhe Kromi, që janë të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.
Lini një Përgjigje